Mbështetësit e presidentit amerikan Donald Trump, pritet të parakalojnë sot në Uashington në përkrahje të kundërshtimit të certifikimit të fitores së presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.
Presidenti Trump planifikon të flasë në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë.
Biden pritet të flasë po sot nga shtëpia e tij në Delaware pas një takimi me këshilltarët e tij ekonomik.
Kongresi do të mblidhet të mërkurën për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale, që dolën zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Përpara ngjarjeve të së mërkurës, presidenti Trump vazhdoi të përdorte rrjetin twitter për të bërë pretendime të pambështetura se ai është fitues i zgjedhjeve.
“Ata nuk do të mbështesin vjedhjen e një fitoreje të madhe në zgjedhje”, shkroi ai për ata që udhëtonin për në Uashington për të protestuar.
Qindra njerëz u mblodhën të martën në mbrëmje në Uashington, përfshirë disa grupe që u përleshën me policinë.
Autoritetet thanë se arrestuan të paktën gjashtë persona nën akuzat që përfshinin armëmbajtje si dhe sulm ndaj një oficeri të policisë.
Rrugët e Uashingtonit u mbyllën dhe kryebashkiakja Muriel Bowser aktivizoi Gardën Kombëtare, nga droja e përsëritjeve së dhunës midis grupeve protestuese siç kishte ndodhur gjatë verës.