Ndërsa pas tij qëndronte me maskë Dr. Anthony Fauci, drejtori i Institutit për Alergjitë dhe Sëmundjet Ngjitëse, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump foli me konfidencë për mediat nga Shtëpia e Bardhë për arritjen e një vaksine.
Ai konfirmoi se synimi i vendosur nga qeveria amerikane është për të patur një vaksinë deri në Janar të vitit 2021.
Madje nga Kopshti i Trëndafilave i Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do t’ja dalin “me apo pa vaksinën”.
“Kjo është një sfidë nga ato që nuk i ka parë ndonjëherë vendi ynë që prej projektit ‘Manhattan’. Askush nuk ka parë diçka si kjo që po bëjmë ne tani. E pabesueshme,” tha Trump.
Në prezantimin e projektit, Trump shoqërohej nga ekspertë, ministra dhe këshilltarë.
“Objektivi është që të përfundojmë prodhimin dhe më pas të nisim shpërndarjn e vaksinës së provuar para fundit të vitit. Unë mendoj se do kemi disa rezultate të mira shumë shpejt”.
Trump tha se projekti nuk do ketë qëllim vetëm vaksinën, por edhe prodhimin e kurave të nevojshme.
“Ky projekt i madh kombëtar do të bashkojë më të mirën e industrisë dhe inovacionit amerikan, burimet e polota të qeverisë dhe ekselencën dhe precizonin e ushtrisë amerikane”.
Mediat amerikane raportojnë se qëllimi i operacionit është prodhimi i 300 milionë dozave vaksinë deri në fund të vitit.
I pyetur nga mediat nëse vaksina do të bëhet e disponueshme për të gjithë, Presidenti Trump konfirmoi se vaksina do të merret nga kushdo që do të dëshirojë ta marrë. VOA