Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi këtë mërkurë në Twitter se kishte marrë një mesazh nga Presidenti i Kinës, Xi Jingping, në lidhje me vizitën e fshehtë të diktatorit koreano-verior, Kim Jong Un, i cili ndodhej në Pekin gjatë kësaj fundjave.
Presidenti shprehu optimizëm se “Kim Jong Un do të zgjedhë të bëjë më të mirën për popullin e tij dhe për njerëzimin. E mirëpres takimin tonë”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se qeveria kineze kishte telefonuar për t’i përditësuar rreth vizitës së Kim-it. Përditësimi përfshinte një “mesazh personal” të dërguar nga Xi për presidentin Trump, sipas Shtëpisë së Bardhë, edhe pse nuk dhanë detaje të mëtejshme.
“Ne e shohim vizitën e Kim-it në Kinë si dëshmi se fushata jonë me presion maksimal po krijon atmosferën e duhur për dialog me Korenë e Veriut”, tha Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders.
Diktatori i Koresë së Veriut u largua nga Pekini të martën, pasi ishte takuar me krerët e vendit për disa ditë me radhë. Vizita e tij nuk u njoftua në publik deri ditën që ndodhej në Kinë, sipas CNN.
Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar në fillim të këtij muaji se Presidenti Trump e kishte pranuar ftesën e udhëheqësit koreano-verior për t’u takuar.
Koreja e Veriut ende nuk ka komentuar për takimin në fjalë. Trump e pranoi ftesën nga Kim Jong Un pasi iu raportua verbalisht në Uashington nga një delegacion i Koresë së Jugut.
Nëse krerët e dy vendeve takohen, do të ishte hera e parë që një President amerikan takohet me një udhëheqës të kombit të izoluar aziatik.