Aktualitet

Trumpi vazhdon t’i mbajë republikanët nën kontroll














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:20 - 16/02/21 |
Ines Pohl

Liria e shprehjes është një pasuri e madhe. Për individë privatë, për gazetarët, por natyrisht edhe për politikanët.






Në një shoqëri të lirë duhet të jetë e mundur të shprehësh mendimin tënd, të argumentosh kundër mendimit të dikujt, pa rrezikuar se për këtë mund të dënohesh. Por është e drejtë që një politikan të lirojë ulësen, nëse vërtetohet se ka gënjyer.


Për dallim nga argumentimet e mbrojtësve të Donald Trumpit, në këtë proces nuk bëhej fjalë për mbrojtjen e fjalës së lirë, por për mbrojtjen e të ardhmes së demokracisë amerikane.







Presidenti Trump ka shkatërruar për vite të tëra besueshmërinë ndaj institucioneve politike të Amerikës, pa u ndëshkuar, duke minuar besimin në zgjedhjet e lira dhe duke dëmtuar vetë thelbin e çdo demokracie. I etur për pushtet, ai vazhdonte të përhapte gënjeshtrën se zgjedhjet ishin vjedhur edhe atëherë kur mbi 60 gjykatës, përfshirë këtu edhe shumë prej tyre, të cilët i emëroi vetë Trumpi, konfirmuan qartë se ai i kishte humbur zgjedhjet presidenciale kundër Joe Biden me mbi shtatë milionë vota dallim.



Fushata e tij populiste e shpifjeve arriti kulmin në kohën e sulmeve të tmerrshme më 6 janar 2021, kur ai u bëri thirrje mbështetësve të tij të pamundësojnë verifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale dhe të sulmojnë ndërtesën e Senatit. Edhe pse ishte e qartë prej fillimit se do të jetë shumë vështirë të dënohet vetë Donald Trump, demokratët ishin të detyruar të fillojnë këtë proces kundër Trumpit. Tekefundit, videot e prezantuara gjatë procesit në Senat tregojnë se sa i rrezikshëm ishte ky sulm vërtet.



Në fund të fundit, vetëm duke i falënderuar guximit të disa oficerëve të policisë, politikanët kryesorë, përfshirë këtu edhe ish-zëvendëspresidentin Mike Pence, shpëtuan nga dhuna e turmës. Pesë persona humbën jetën atë ditë, e ka mundur të ketë edhe më shumë viktima. E ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara mban përgjegjësinë.

Turp është që Trumpi nuk do të përgjigjet për këtë. Fakt është që këto imazhe i kanë bërë të mendojnë mirë disa votues republikanë, por jo edhe shumicën dërrmuese të senatorëve republikanë, që është shumë shqetësuese.

Epilogu i këtyre procedurave tregon se sa nën kontroll vazhdon të mbajë Donald Trump Partinë Republikane. Sa e madhe është brenga e deputetëve, se ata do të mund të ndëshkoheshin nga mbështetësit e Trumpit në zgjedhje, nëse e vendosin ligjin para mbajtjes së posteve.

Ajo që ka mundur të jetë një çlirim nga gjendja, përfundoi me çimentimin e përçarjeve në këtë vend. Për bashkësinë ndërkombëtare ky është një tregues i qartë se SHBA do të jetë e preokupuar me veten e vet në vitet e ardhshme.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas