fbpx

Aktualitet

Tryezë për fasadë apo zgjidhje krize?!






               Publikuar në : 10:30 - 21/09/19 |
mapo.al

Kriza politike dhe shansi i fundit për t’u ulur në bisedime në gjetjen e zgjidhjes. Dilemat nëse palët do “paqtohen” përkohësisht, apo marrëveshja do të jetë mbi baza të forta institucionale, ligjore dhe morale. Faktori ndërkombëtar dhe veçanërisht Gjermania investohen për të diktuar një reformë të thellë në rikthim të demokracisë dhe shtetit ligjor. 


Nga Sebi Alla



Kriza është këtu dhe mbetet nga ata raste që koha, harresa, nuk e shëron, por e thellon edhe më shumë. Palët politike qëndrojnë ende në llogoret e tyre, por duket se kanë ndaluar “gjuajtjet” dhe ngritur kokën për të parë nëse është mundësia e një ulje për dialog. Thirrja u ka ardhur nga faktori ndërkombëtar, por edhe vetë “lufta” pa fitues, detyrimisht po e çon politikën shqiptare drejt uljes për bisedime, pasi dëmet që po shkarkohen, kanë kaluar nga qytetarët edhe te vetë personazhet e krizës së thellë. Në emër të integrimit dhe datës 18 tetor që pritet të mos sjellë asgjë, ka një lloj paqeje të brishtë, por dilemat janë vetëm dy: Do ketë tryezë sa për fasadë, duke e pudrosur fytyrën e rrudhur, apo do angazhohen në një zgjidhje krize serioze, për të futur vendin në një tjetër etapë? Qeveria nuk po ofron zgjidhje, edhe pse ka shumë në dorë për të lëshuar diçka nga shumëçka ka marrë. Opozita nga ana e saj hodhi në treg idenë se do të mbërrijë me një platformë të thellë politike dhe institucionale, por deri më tani ka “gjetur” diagnozën, por ende pa ofruar “ilaçin” që do mbante në jetë demokracinë, e cila përfundimisht është futur në agoni. Qarkullojnë zëra se opozita mund të tërhiqet nga “kërkesa e panegociueshme” për të ulur me Ramën nën petkun e kryeministrit. Ky duket një hap konkret, pasi në llogaritë politike të partive opozitare, nuk ka rëndësi beteja e parë, por fitorja e fundit, që për ta të paktën publikisht është theksuar se mbeten zgjedhje të lira dhe ndershme, largimin e krimit nga politika dhe shpëtimin e demokracisë nga autoritarizmi i theksuar. Palët janë si dy boksierë të dërmuar në rangun e 11, që mezi presin të bjerë gongu që lajmëron fundin e një ndeshje të ashpër.

***

Nën këtë trysni, fjala “pajtim” nuk ka vlerë. Nëse do jetë një marrëveshje e gëzueshme nga të dyja kahët që bëjnë hesape pushteti dhe jo shteti, atëherë kriza në dukje e zgjidhur thellohet edhe më shumë. A do ketë vend për trafikantë dhe të fortë që dërmojnë votën e lirë? A do zbarkojnë para me thasë në periferi ku varfëria ka koston e një vote të blerë, që të mban me ushqim katër ditë, por të rrënon katër vite? Gjithçka nis nga vota e lirë, por mahisja e plagës është më e madhe se vetëm “zgjedhjet e lira dhe ndershme”. Një platformë mbi baza të forta kushtetuese, ligjore nëpërmjet Kodit Zgjedhor dhe largimin e militantëve partiak nga administrimi i zgjedhjeve do ishin të tjera kushte për të trajtuar dhe plotësuar. E fundit, që për nga rëndësia duhet të ishte e para, është se qytetarët janë në nevojë emergjente për të diktuar kandidatët që do i përfaqësojnë dhe llogaridhënia të jetë jo vetëm para më të pushtetshmit, por në radhë të parë mbi kërkesat e njerëzve të thjesht. Zhgënjimi popullor masiv nga klasa politike në vend është e madhe dhe një marrëveshje me pajtim, por pa ndëshkim në të shkuarën, të tashmen dhe ardhmen do ishte një zgjidhje momenti që do krijonte imazh normaliteti, por në kohë mund të rikthente kaosin, ndoshta të pakontrollueshëm. Një hendek i thellë është çështja e Reformës një Drejtësi. Ndërkombëtarët po e “shesin” si produkt të tyrin, por ndikimi i pushtetit këtu, dukshëm po jep shenja se ka shtrirë duart pranë institucioneve të reja. Pandëshkueshmëria ndaj zyrtarëve të lartë publik nuk është vetëm si sëmundje e “drejtësisë së vjetër”. Frika mbetet se në të ardhmen sistemi i ri i drejtësisë do jetë infektuar dhe afektuar nga pushteti i sotëm, por kjo është një çështje që tryezat politike ndonëse do ketë dëshirën ta trajtojnë, mund të stepen nga thirrjet e forta që vijnë nga faktori ndërkombëtar, që ende beson se mund të largojnë në çdo kohë dorën e pushtetit që po rëndon mbi peshoren e drejtësisë. Gjithashtu, qeveria do të merret në “provimin e vjeshtës”, që lidhet me 18 tetorin ku do të vendoset për hapjen ose jo të negociatave. Në këtë rast, “studenti ngelës”, nuk do ketë të drejtën as të futet në provim pa plotësuar disa kushte…

***

Në lojë është përfshirë faktori ndërkombëtar, SHBA dhe veçanërisht Gjermania. Tre ditë më parë DË shkruan se deputetë të SDU–CSU-së, që përbëjnë shumicën qeverisëse, do i vendosin nëntë kushte Shqipërisë për hapjen e negociatave. Katër nga nëntë pikat, mbesin ekskluzivitet i qeverisë për t’i zgjidhur, ndërsa pjesa tjetër lidhet kryesisht në ngritjen dhe nisjen punë të institucioneve të reja të drejtësisë. Pikërisht fraza, si: “Ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave; rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar; kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit dhe sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019”, janë thelbi i shumë problemeve që ka kaluar dhe po kalon vendi. Të gjitha kanë vetëm një përgjegjës, qeverisjen. Këto kushte që vijnë nga Gjermania si “dhuratë e padëshiruar” për disa, janë edhe kauzat kryesore të opozitës dhe do jenë të pashmangshme në tavolinën e bisedimeve mes politikanëve tanë. Kryeministri vijon të mbajë në ngazëllim elektoratin e tij të bindur, se në shahun politik ai është tre lëvizje përpara, por koha tregoi se ajo vizitë e shumëpritur në Berlin ishte “zënie mat”, ndonëse i dhanë të “drejtën” e zhvillimit të një loje tjetër nën survejimin ndërkombëtar. Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për të hedhur sytë kah Europa, e cila edhe ajo po tenton ta shohë të vërtetën këtu në Tiranë, pa i dhënë më rëndësi “korrespondencës” që u mbërrinte nga përfaqësuesit diplomatik të tyre, të atashuar në vendin tonë. Në 29 vite vendi ka kaluar kriza të rënda, por edhe marrëveshje në dukje të mëdha. Pas tre dekadash koha është tani dhe jo më vonë për marrëveshje të qëndrueshme, qoftë edhe e imponuar.

 

“Nevojë për arbitër ndërkombëtar, Rama e konsideron postin si ‘tokë e xanun’”

Flet Mimoza Koçiu, analiste politike

Situata politike në vend vijon të jetë në krizë, ndërsa duket se palët kanë lënë disi pas akuzat e ashpra dhe po diskutohet gjithnjë e më shumë një tryezë politike. A mendoni se mund të ketë një zgjidhje të krizës nën imponimin e faktorit ndërkombëtar, apo palët në vend janë “ndërgjegjësuar” dhe mund të shkojnë vetë drejt tentativës për një zgjidhje?

Kjo qetësia e palëve në fakt lidhet me 18 Tetorin, ditën kur Këshilli Europian duhet të vendosë mbi hapjen e negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Të gjitha gjasat janë që Maqedonia e Veriut t’i hapë në Janar e Shqipërisë t’i vihen kushte, e me këtë opsion duket se janë paqtuar si Edi Rama ashtu edhe Lulzim Basha. Lënia pas e retorikës së fortë mes tyre, lidhet me faktin se kushtet që do vendosen për Shqipërinë do jenë baza për një dialog të ardhshëm, tashmë një detyrë ndërkombëtare shtëpie për palët. Personalisht nuk shoh “ndërgjegjësim” mes palëve, por edhe pas 3 dekadash pluralizëm, aktorët politikë kanë nevojë për një arbitër ndërkombëtar si garant.

Mbetet një nga krizat me shumë të panjohura, pasi në diskutim nuk është një çështje e vetme, por një mori problemesh. Cilat mendoni se duhet të jenë bazat e një marrëveshjeje të mundshme të qëndrueshme, pasi klasa politike ka treguar se është në gjendje të prodhojë konflikte, pavarësisht se ka pasur ndryshime kushtetuese, ndryshime të Kodit Zgjedhor me dakordësi etj., por sërish risjellin kriza, që këtë herë nuk është më vetëm politike, por edhe institucionale dhe sociale. 

Mendoj se reforma zgjedhore mund të jetë vërtet pikënisja për këtë dialog, sepse aty përcaktohen rregullat e lojës e ato detyrimisht duhet të miratohen nga dy palët. Vijoj t’i qëndroj idesë së përcjellë po për gazetën tuaj në nisje të kësaj krize, se kushtet kokëforta nuk i shërbejnë dialogut. Palët duhet të ulen pa kushte e të tregojë vullnet se mund të kapërcejnë interesat partiake. Kushtet e identifikuara nga grupi parlamentar CDU/CSU i shoh shteruese, edhe për kërkesat e opozitës. Mund të shërbejnë si bazë për të shtrirë dialogun përtej reformës zgjedhore sepse adresojnë edhe rezervat për ecurinë e reformës në drejtësi.

Roli i politikës gjermane ka qenë mjaft i rëndësishëm në këtë situatë dhe duket se e njohin më mirë se cilido zyrtar i lartë në Bruksel situatën në Shqipëri, a mendoni se ajo që është konsideruar si “nëntë kushtet gjermane” për çështjen e negociatave është baza e diskutimeve mes palëve politike në Shqipëri?

Pikërisht ato 9 pika mendoj se i përmbushin edhe kërkesat e artikuluara publikisht nga opozita, pra mund të jenë baza efikase jo thjesht për t’u ulur të tryezë, por edhe për të arritur zgjidhje.

Deri më tani të paktën publikisht kryeministri Edi Rama vijon të mbajë qëndrimin se nuk do ketë zgjedhje të parakohshme dhe nuk e pranon që në vend ka krizë, nga ana tjetër, lideri i opozitës vijon me denoncimet, një lloj “fushate të parakohshme” në takime me qytetarë. A po përgatiten palët për zgjedhje të parakohshme dhe nëse ndodh, a ka garanci që qeveritë që do vijnë në të ardhmen të mos sjellin kriza të rënda siç ajo aktuale që po kalojmë?

Kryeministri më ngjan me dikë që i flet frikës së vet kur thotë se zgjedhjet e ardhshme do jenë në 2021! Në asnjë vend demokratik, data e zgjedhjeve nuk është e gdhendur në gur, pra e paprekshme, sepse varet nga mënyra se si ke përmbushur premtimet për të cilat je zgjedhur. Fatkeqësisht, z. Rama e konsideron postin si “tokë të xanun”, apo të marrë me qera për 4 vjet, kur nuk është aspak ashtu. Zgjedhjet e parakohshme po ndodhin në rajon e Europë e janë një fenomen krejt normal në demokraci, që dëshmon se udhëheqësit politikë janë të përgjegjshëm për rolin e tyre. Modeli që ndërtoi z. Rama me 30 qershor, ku vetë garoi, vetë administroi, e po vetë nuk arriti të përzgjedhë 61 kandidatë të pastër e pa probleme me drejtësinë, nuk ekziston në asnjë vend demokratik. Një kryeministër që e kontrollon tërësisht parlamentin e pushtetet e tjera, e nuk arrin të ketë afro 23 % pjesëmarrje në votime moniste, e votuesit e detyruar për të shkuar në kutinë e votimit iu zbuluan nga votat e pavlefshme, e ka të qartë se nuk mund ta çojë deri në fund mandatin e vet. 9 pikat e parlamentarëve të CDU/CSU janë pasqyra që vetë z. Rama ka ndërtuar në 6 vitet e qeverisjes së vet. Edhe Lulzim Basha e ka të qartë që zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e pashmangshme. Mendoj se të dy po përgatiten për to në partitë respektive. Shmangia e krizave të ngjashme në të ardhmen do vijë nga dhënia fund e pandëshkueshmërisë e natyrisht e ndarjes së krimit nga politika. Reforma në Drejtësi, sidomos SPAK e BKH i shoh si mekanizmat për ta arritur këtë.

 

“Të bjerë autoritarizmi, gjithçka tjetër nuk do të ishte marrëveshje por thellim krize”

Flet Fitim Zekthi, pedagog i shkencave politike

Situata politike në vend vijon të jetë në krizë, ndërsa duket se palët kanë lënë disi pas akuzat e ashpra dhe po diskutohet gjithnjë e më shumë një tryezë politike. A mendoni se mund të ketë një zgjidhje të krizës nën imponimin e faktorit ndërkombëtar, apo palët në vend janë “ndërgjegjësuar” dhe mund të shkojnë vetë drejt tentativës për një zgjidhje?

Kriza është shumë e rëndë dhe i ka kaluar me kohë përmasat e një krize politike. Kemi të bëjmë me një krizë organike, krizë të gjithanshme, e cila nuk ka lënë institucion dhe fushë të jetës së vendit pa kapur. Kriza ka në thelb të sajin politikën, ka qeverinë dhe mënyrën se si ajo kupton pushtetin dhe ligjin, se si ajo e kupton interesin publik, demokracinë dhe të drejtën. Qeveria dhe kryeministri Rama kanë shkuar aq larg në tëhuajësimin e parimeve bazë të demokracisë, respektit për ligjin dhe ndarjen e pushteteve, paranë publike dhe zgjedhjet sa nuk ka asnjë mundësi që palët vetë të shkojnë drejt zgjidhjes së krizës. Nuk ka asnjë mundësi që të kemi ndërgjegjësim të palëve. Madje unë nuk shoh fare palë. Unë shoh një pushtet autoritarist të qeverisë dhe kryeministrit i cili ka përballë një masë njerëzish, një trupë politike, një entitet publik që përpiqet të kthehet në një digë në mënyrë që ky pushtete të mos i përpijë. Pra kemi një palë dhe një digë. Nëse do të kemi zgjidhje dhe do të kemi padyshim, zgjidhja do të vijë nga presioni e ndërkombëtarëve dhe nga ngecja që do të ketë dhe që ka ky pushtet në digë.

Mbetet një nga krizat me shumë të panjohura, pasi në diskutim nuk është një çështje e vetme, por një mori problemesh. Cilat mendoni se duhet të jenë bazat e një marrëveshjeje të mundshme të qëndrueshme, pasi klasa politike ka treguar se është në gjendje të prodhojë konflikte, pavarësisht se ka pasur ndryshime kushtetuese, ndryshime të Kodit Zgjedhor me dakordësi etj., por sërish risjellin kriza, që këtë herë nuk është më vetëm politike, por edhe institucionale dhe sociale.

Që të jemi të drejtë duhet të themi se kriza jonë i ka rrënjët shumë kohë më parë por pavarësisht se rrënjët janë shumë kohë më parë këto rrënjë nuk janë ushqyer kurrë aq sa të na çojnë në këtë gjendje dramatike politike dhe sociale apo ekonomike. Madje ka qenë e mundur të paktën që prej vitit 2000 deri në vitin 2011 apo edhe 2013, që vendi të ecë përpara në mënyrë domethënëse në disa fusha. Kemi patur gjithnjë një qeveri që kishte vështirësi në kontrollin e kuvendit, një qeveri që ishte në konflikt me disa institucione, kemi patur një ekonomi që është rritur edhe deri në 8%, kemi patur investime të huaja, kemi patur gjykatë kushtetuese që rrëzonte vazhdimisht vendime të qeverive apo ligje të kuvendit, kemi patur zgjedhje të mira që kanë lejuar ndërrim pushteti dhe gara konkurruese si ato lokale të vitit të ë vitit 2003 apo 2007 dhe kemi patur sidomos zgjedhje politike që kanë prodhuar ndryshim qeverish dhe marrje të pushtetit nga opozita si ato të vitit 2005 dhe 2013. Nga ajo kohë të gjithë këta tregues janë përkeqësuar deri sa kemi mbërritur në një qeverisje që vetëm legjitimon formalisht veten përmes vjedhjeve, manipulimeve dhe bashkëjetesës me entitete të krimit dhe korrupsionit. Duke qenë kështu marrëveshja duhet të kërkojë gjetjen e mundësive që kjo formë autoritariste e kontrollit të institucioneve dhe e bashkëjetesës me krimin të mos pengojë zgjedhjet e lira. Çdo gjë tjetër nuk do të ishte marrëveshje por mjet i thellimit të krizës. Opozita thotë se kjo bëhet vetëm nga një qeveri kalimtare. Opozita e ka rrokur drejt thelbin. Kjo krizë nuk zgjidhet kurrë me asnjë mjet pa gjetur mundësinë e çlirimit të institucioneve dhe të këputjes së mekanizmit që i zhvillon zgjedhjet nën tutoriatin e përzierjes pushtet-autoritar-krim i organizuar-para e pistë dhe nxjerr rezultatin që kërkon kjo treshe.

Deri më tani të paktën publikisht kryeministri Edi Rama vijon të mbajë qëndrimin se nuk do ketë zgjedhje të parakohshme dhe nuk e pranon që në vend ka krizë, nga ana tjetër, lideri i opozitës vijon me denoncimet, një lloj “fushate të parakohshme” në takime me qytetarë. A po përgatiten palët për zgjedhje të parakohshme dhe nëse ndodh, a ka garanci që qeveritë që do vijnë në të ardhmen të mos sjellin kriza të rënda siç ajo aktuale që po kalojmë?

Është e qartë se qeveria dhe opozita janë nën ethet e zgjedhjeve të reja. Kryeministri e kupton se ajo që ka bërë opozita ndonëse i ka dhënë atij përkohësisht më shumë pushtet duke i dhënë të gjitha bashkitë dhe të gjithë parlamentin, në të vërtetë i ka shkatërruar legjitimitetin për të vazhduar të qeverisë. Kryeministri është në kërkim në mënyrë të dëshpëruar për të gjetur një mënyrë legjitimimi që janë vetëm zgjedhjet. Kryeministri sigurisht që kërkon t’i mbajë zgjedhjet me kushtet e tij. Pavarësisht se ai thotë se do të vazhdojë të qeverisë deri më 2021pa hyrë në zgjedhje të parakohshme ai këtë e përdor vetëm për retorikë. Para dy vitesh e disa muaj, kryeministri Rama doli në fushatë dhe thoshte se nuk kishte patur sukses gjatë katër viteve 2013-2017 sepse nuk kishte patur timon dhe tepsinë. Ai kërkonte timonin dhe tepsinë për të patur sukses. Tani ai ka dy vite që i ka edhe timon edhe tepsinë. Në fakt këto vite ai është thellë në krizë dhe në paqeverisje. Në këto vite ka shpërthyer skandali Tahiri, skandali Xhafaj, skandali Unazë e Re, skandali i koncesioneve ku dha dorëheqjen drejtoresha e rrugëve, nuk ka marrë çeljen e negociatave, opozita ka lënë parlamentin, ka mbajtur zgjedhje pa opozitën etj. Pra, ai është një zombie që nuk qeveris, është një zombie që ecën në këmbë i vdekur politikisht.

 


Etiketa: , , , , , ,

Pas