Deputeti socialist, Spartak Braho, kërkoi sot në Kuvend shkarkimin e kreut të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, shkrimtarit Agron Tufa.
“Ka shumë helm brenda në tërë veprimtarinë e këtij institucioni. Në këto kushte unë mendoj që nuk do ta votoj pozitivisht këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në veprimtarinë e tij. Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar, duke marrë përsipër të nxijë çdo gjë, duke përfshirë luftën, heronjtë, dëshmorët, dhe nuk ka asgjë shkencore në tërë analizat që ka bërë ky institut.
Ky është thjesht një institut studimi, nuk ka pse ngatërrohet me politikën, nuk ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligjin që kemi miratuar”, tha Braho.
Kurse Tufa reagoi ndaj Brahos, duke e quajtur deputetin e majtë një përfaqësues të zi të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Dhuratën më të çmuar sot për ditëlindje ma ka bërë direkt nga salla e Kuvendit bash përfaqësuesi i zi i ish-Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë ta dinë të gjithë, se si na rrezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit!”, shkruan Tufa në FB.
Kurse gjatë një interviste për Syri.net, Tufa tha se ky ishte shantazh i hapur ndaj tij.
“Sjellja e Brahos është një shantazh, një kërcënim sepse pas Brahos fshihet Sigurimi i Shtetit me begraundin e tij. Nëse më ndodh mua diçka apo familjes time, ai do të jetë përgjegjës. Është një kërcënim direkt për mua”, tha Tufa.
“Unë do të vijoj detyrat e mia pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve”.