Nga Rosie Spinks, Quartzy
Sloganet për turizmin vijnë në forma nga më të ndryshmet, që nga ato krenaret si ai i Tajlandës “Të hapur për hijet e reja”, tek ajo modeste e Nebraskës “Sinqerisht, jo për këdo” e deri tek ato që projektohen për t’u bërë virale si ajo e Vilniusit “Pika G e Europës”.
Por slogani i ri turistik i Shqipërisë, i shpallur në fund të shkurtit, është diçka krejt ndryshe. “Rrëmbehu nga Shqipëria” duket si një referencë direkte ndaj reputacionit të vendit ballkanik për aktivitetet kriminale- dhe sigurisht ndaj filmit të vitit 2008 ‘Taken’, me Liam Neesn, ku aktori luan një baba të dëshpëruar për të gjetur të bijën- që është rrëmbyer nga trafikantët shqiptarë të qenieve njerëzore.
Ju mund të supozoni se bordi i turizmit e ka zgjedhur sloganin “Rrëmbehuni nga Shqipëria” pa menduar për kuptimin e pafat të dyfishtë: Ata duan që të ‘rrëmbeheni’ nga bregdeti dramatik i vendit dhe banorët mikpritës, pa evokuar rrëmbimet, trafikun seksual, kriminelët apo rrjetet e krimit të organizuar. Vendi shpreson të tërheqë 10 milionë vizitorë në vit, tek e fundit.
Por nëse i hedh një sy faqes së internetit, ajo tregon se slogani dhe fushata shoqëruese janë në fakt një referencë direkte ndaj reputacionit të vendit si “një parajsë për banditët, kriminelët dhe gangsterët”. Madje ka një përpjekje- të plotësuar me një peticion- që të sjellin vetë Liam Neeson për të vizituar vendin dhe për t’u ‘rrëmbyer’ prej sharmit të tij. Neeson duket se nuk e ka komentuar fushatën.
“Hej Liam, ne na pëlqen që të shohim filmat e tu, dhe mendojmë se je shumë i talentuar,” thuhet në fillim të videos së turizmit. “Por bashkë kemi disa gjëra për të sqaruar. Ju i keni bërë njerëzit e botës të mendojnë se ne shqiptarët jemi kriminelë, banditë dhe gjihmonë në kërkim të vajzave për t’i rrëmbyer”.
Videoja më pas vazhdon duke treguar disa ‘aftësi specifike’ të shqiptarëve (një referencë ndaj personazhit që luan Neeson, duke përdorur një frazë të ngjashme për të përshkruar operacionet e fshehta për CIA-n), që përfshijnë “buzëqeshjen miqësore”, “historinë e mrekullueshme” dhe “zejtarinë tradicionale”.
Por ndërsa videoja është e gjallë dhe e realizuar mirë, e kompletuar me pamje me dron- realiteti është se krimi i organizuar dhe trafiku njerëzor mbeten një problem serioz në Shqipëri. Një raport i vitit 2018 nga Departamenti i Shtetit zbulon se “Shqipëria vazhdon të jetë një vend burimi apo tranziti për burrat, gratë apo fëmijët që janë subjekt i trafikimit apo punës së detyruar”. Edhe pse vë në dukje se qeveria ka bërë disa hapa në adresimin e situatës, aty thuhet se “Shqipëria nuk i plotëson sërish as standardet minimale për eliminimin e trafikut”.
Fushata e turizmit e Shqipërisë ka të drejtë në një pikë: Vendet që janë jashtë rrugës së turizmit shpesh bien pre e stereotipeve të pandershme nga portretizimet në filma dhe në kulturën popullore. Dhe ka pak dyshime se gastronomia, kultura dhe peizazhi i Shqipërisë e bëjnë atë një vend të këndshëm për t’u vizituar. Por duke tërhequr vëmendjen drejtpërsëdrejti (madje edhe duke bërë humor) me problemin e trafikut të qenieve njerëzore, ndoshta e çon thelbin shumë larg.
Dikush mund të supozojë se bordi i turizmit në Shqipëri po shpreson të përsërisë famën e videos virale të Vilniusit me fushatën e guxishme “Pika G e Europës”, që ishte një sukses i madh dhe nxiti shumë artikuj dhe e drejtoi vëmendjen ndërkombëtare tek kryeqyteti i Lituanisë. Sidoqoftë, nëse fushata apo slogani do të sjellë më shumë turistë, kjo është plotësisht e hapur për debat.