Transportohet në kohë reale me helikopter turisti çek që u rrëzua me motoçikletë në përroin e Cirovës, në zonën malore të fshatit Rinas të Librazhdit.
Rreth orës 19:00, një grup turistësh çekë, po përshkonin me motorr rrugën malore mbi fshatin Rinas të Librazhdit, që lidhet me Shëngjergjin. Njëri prej tyre shtetasi R.K, 53 vjeç, ka humbur kontrollin e motoçikletës dhe ka dalë nga rruga, duke rënë në përroin e Cirovës, për pasojë ka pësuar fraktura në trup.
Turistët kanë njoftuar Sallën operative të Librazhdit dhe menjëherë në drejtim të tyre është nisur një patrullë policie dhe autoambulanca. Si pasojë e terrenit të vështirë, transportimi me autoambulancë ishte i pamundur dhe në këto kushte, është dërguar një helikopter duke bërë të mundur transportimin në kohë për në Spitalin Ushtarak të shtetasit çek.