Saranda, këtë vit, është e dyta pas Durrësit që duket se po përjeton një sezon të mirë turistik, me një rritje të dukshme në raport me vitin paraardhës kur pandemia e penalizoi, me kërkesë më të ulët. Arben Çipa, nga Sipa Tours, nënvizon se duke nisur nga 15-ditëshi i dytë i korrikut, hotelet janë të gjithë plot dhe pritshëmritë janë që edhe gushti të jetë i tillë.
“Nëse flasim për hotelet në vijë të parë dhe të dytë, të gjithë janë 100% të rezervuar. Edhe çmimet e tyre janë rritur. Saranda e nisi sezonin me çmimet e ulura të një viti më parë, por më pas kërkesa e rritur duket se çoi në një rritje 30-40% më shumë në raport me një vit më parë” shprehet Çipa.
Sipas tij, në Sarandë, sa i takon turizmit të organizuar në këtë sezon ka pritur kryesisht turistë nga Ukraina, Bjellorusia, Rusia. Po kështu janë disa kompani rumune dhe serbe që operojnë me autobusë.
“Turistët serbë janë më dominues sesa pjesa tjetër. Vihet re se ka shumë pushues evropianë, që kanë ardhur në mënyrë të pavarur me tragete. Kryesisht vijnë çifte” – pohon Çipa. Këtë sezon, Sarandën e kanë zgjedhur shumë edhe vendasit, si dhe diaspora e Kosovës.
Thuajse të gjithë plazhet janë plot përgjatë Sarandës dhe Ksamilit dhe çmimet në restorante dhe shezlone janë njëlloj si në vitin 2019. Çipa pohon se raste abuzimi mund të ketë tek-tuk, duke shfrytëzuar kërkesën e lartë por shezlonet kanë një çmim kryesisht mes 700 dhe 1000 lekë, ndërkohë që në plazhet e mira mund të hasësh edhe çmime 1500 lekë.
Përgjithësisht, qëndrimi mesatar në Sarandë është njëjavor nga sa konstatohet dhe turistët duket se e kanë shijuar shumë edhe risinë që ka paraqitur Saranda këtë vit, e cila lidhet me turet me anije.
“Butrinti mbetet një destinacion i preferuar dhe kjo ndodh edhe sepse është i njohur. Ndërkohë, risi e këtij sezoni janë turet me anije, të cilat janë shumë dinamikë. Ne, për shembull, në turin tonë ofrojmë Kepin e Qefalit, Krorëzën dhe Kakomenë gjatë një dite. Paketat që ofrohen kanë çmim 40 euro personi all-inclusive, ose 20 euro vetëm turi. Në paketën me të gjitha të përfshira ofrohen çadra dhe dysheku në plazh, dreka dhe pije freskuese pa limit. Turet nisin nga mëngjesi deri në 17:30” – shprehet Çipa.