Kryesore

TURIZMI/ Ujë, diell e kripë, por hotelet bosh





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:54 - 04/07/20 |
mapo.al

Rreth 1.5 miliard euro që hynin çdo vit nga turizmi do i mungojnë ekonomisë shqiptare për vitin 2020 për shkak të pandemisë dhe mbylljes së kufijve. Operatorët turistikë, janë në kushtet e mbijetesës pasi rezervimet në pranverë u anuluan në masën 100%, ndërsa për sezonin e verës në masën 80%. Në një peticion dërguar qeverisë ata kërkojnë marrjen e masave, me qëllim shmangien e falimentit të qindra operatorëve apo kompanive hoteliere që zhvillojnë aktivitetin në këtë sektor. Flasin për MAPO Matilda No e Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi i sektorit të hotelerisë, Besnik Vathi nga agjencia ATHS dhe Eni Xheko, administratore e Xheko Imperial


Plazhet bosh të Shqipërisë japin një pamje të trishtë. Lokale, hotele dhe biznese që operojnë përgjatë vijës bregdetare, mbajnë shpresën se në fundjavë do lëvizë diçka. Qershori që kaloi ishte, thuajse asgjë dhe ato pak dhoma apo tavolina restorantesh në më të shumtën e rasteve nuk mjaftuan as për të paguar taksat. Në rrugët e Shqipërisë nuk ka turistë, çka të kujton vitet e diktaturës kur vendi ishte i izoluar.


Shqiptarët e Kosovës, dhe ata të Maqedonisë, dy vendet e vetme të cilat kanë mbajtur kufijtë hapur, kanë hezituar, jo vetëm për shkak të pandemisë. Në pikën e kalimit kufitar të Morinës, apo dhe në Qafë-Thanë tek-tuk shihet ndonjë makinë me persona të cilët ka preferuar të kalojnë disa ditë në bregdetin shqiptar. Pandemia, veç frikës ka sjellë dhe pakësim të ardhurash, këndej apo andej kufirit.


Kriza
Turizmi është në krizë. Ky sektor i ekonomisë gjeneron tëpaktën 1.5 miliard euro çdo vit, që do të mungojnë për vitin 2020. Në një peticion dërguar qeverisë më datë 16 qershor, shoqatat e turizmit evidentojnë se në pranverë janë anuluar 100% e rezervimeve, për periudhën 80 % e rezervimeve, dhe për vjeshtën 50% e rezervimeve vjetore.


“Rezervimet për periudhën e pranverës ishin 100% të anuluara, ndërsa për sa i përket sezonit veror, rreth 80% e rezervimeve janë anuluar dhe 20% janë stopuar në pritje të një date udhëtimi e cila është në varësi të dinamikës së kësaj situatë, dhe po kështu edhe për rezervimet e vjeshtës, ku deri më tani janë anuluar mbi 50% dhe për pasojë industria e turizmit do të humbasë rreth 1.5 miliard euro nga volumi që pritej të realizohej”, thuhet në peticionin dërguar Kryeministrit, ministrit të Turizmit dhe ministres së Financave. Turistë kryesisht nga Evropa jugore, polakë, bullgarë, çekë e maqedonas, të cilët vit pas viti pushonin në brigjet shqiptare, kryesisht në jug të vendit.

Mes tyre futet dhe Kosova, qytetarët e cilëve prej vitesh preferojnë turizmin patriotik. Vetëm vitin e kaluar në total sipas INSTAT e kanë vizituar Shqipërinë 6.4 milionë turistë dy herë e gjysmë më shumë se sa është popullsia e vendit, nga të cilët rreth 4.6 milionë ishin nga Evropa jugore. Natyrisht në shifrat e sipër përmendura futen dhe shqiptarët që kanë zgjedhur vendin e tyre për të pushuar, por jo të pakët kanë qenë dhe turistë të huaj. Për shembull vitin e kaluar në gjashtë mujorin e parë e vizituan vendin rreth 105 mijë shtetas polakë, që preferonin bregdetin e jugut për të pushuar.

Qeveria nga ana e saj u mjaftua me pagat e punës për punonjësit, por siç shprehen sipërmarrësit kjo është pamjaftueshme. Akoma më e rëndë bëhet gjendja për agjencitë turistike, të cilat janë të detyruara të kthejnë mbrapsht parapagimet që kanë bërë shtetasit që preferojnë të pushojnë jashtë vendit. Përgjatë kohës së pandemisë, në muajt mars-prill-maj ky aktivitet ishte zero, por dhe muaji qershor nuk solli asgjë shpresëdhënëse.

Izolimi
Nga 1 korriku vendet e BE-së ndaluan çdo hyrje-dalje me Shqipërinë. Në drejtim të Greqisë apo Italisë, mund të udhëtojnë tashmë vetëm rezidentët. Në rast se do hysh në Mal të Zi, do duhet të karantinohesh për 14 ditë atje. Madje nëpër Shqipëri nuk lejohet as tranziti i qytetarëve të BE-së. E gjitha kjo për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve kohët e fundit.

Të vetmit shtetas të Ballkanit perëndimor ku lejohen hyrje-daljet janë Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Ecejaket qeveritare për të promovuar turizmin patriotik te shqiptarët e Kosovës deri më tani nuk po japin shumë efekt. Kësaj i shtohen dhe disa veprime absurde të IKMT e cila në prag sezoni ka ndërmarrë prishje të ndërtimeve pa leje në Velipojë, Shëngjin dhe Bregun e Jugut.

Gjithsesi, dhe në rast se qeveria arrin që në muajt e mbetur të thithë të gjithë potencialin e turistëve të Kosovës, sërish ai nuk përbën as 30% të totalit që ky sektor vjel në vit.

Situata e biznesit turistik, dhe një krahasim me fqinjët
Italia është një nga vendet që mori goditjen më të madhe nga pandemia. Numri i madh i viktimave dhe pacientëve që rezultuan pozitivë çuan në karantinim gjithë vendit, nga 10 zona që ishin në fillim, kryesisht në veri të vendit. Në situatën e vështirë ekonomike, qeveria italiane deklaroi se do të ndihmonte bizneset dhe rimëkëmbjen me 7.5 miliardë euro, duke synuar rekuperimin e pjesës më të goditur.

Por kryeministri Giuseppe Conte, në një dalje të fundit, njoftoi se kjo paketë do të shkonte 25 miliardë euro. Masat e para të deklaruara lidheshin me hotelerinë, pezullimin e faturave të ujit dhe mbështetjen e të vetëpunësuarve me një pagesë 500 euro në muaj. Lidhur me turizmin, Italia vendosi që të pezullohen kontributet në nivel kombëtar.

Dekreti i parë legjislativ parashikonte masa ‘ad hoc’ për sektorin e turizmit në të gjithë Italinë, me pezullimin e tatimit në burim dhe pagesave të kontributeve për sektorin e hotelerisë. Një tjetër masë ishte pezullimi i faturave të ujit, energjisë elektrike, gazit dhe madje edhe të mbeturinave deri në fund të prillit. Masa drastike në ndihmë të turizmit morën dhe vende të tjera.

Kërkesat
Shqipëria është shumë larg masave të marra nga shtetet fqinje.

Sezoni turistik tashmë është i dështuar dhe nuk është çështja për të shpëtuar punëtorët, por është çështja për të shpëtuar tëgjithë industrinë. Paketa e pagave për periudhën të cilën kjo kredi u dha, pra për pagat e periudhës maj-prill-maj, as 50% e kësaj pakete nuk është konsumuar. Paketa e dytë është përsëri e pavlefshme për industrinë turistike pasi ka interesa deri në 5% ndërkohë që interesat e viteve të fundit janë 3.5-4%. Nuk ka logjikë që të diskutosh që t’i të marrësh kredi, të mbytesh me një kredi të dytë në mënyrë që të funksionosh, pra është e pamundur”, thotë në një prononcim për MAPO, Zak Topuzi, kryetar i shoqatës së Hotelerisë në Shoqatën Shqiptare tëTurizmit.

Besnik Vathi, president i agjencisë turistike ATHS, thotë se në këto kohë që nuk ka aktivitet i kanë kërkuar qeverisë të paktën të shtyhen detyrimet së paku deri në fund të vitit, por ende nuk kanë marrë një përgjigje.

Duke qenë se biznesi i turizmit, është në një fazë kur nuk ka aktivitet, pa operatorët turistikë, agjencitë turistike kanë zero aktivitet, atëherë çfarë do paguajnë? Prandaj ne kërkuam se së paku deri në fund të vitit tëçlirohemi nga të gjitha taksat sepse kur nuk prodhojmë skemi çtë paguajmë kur nuk kemi asnjë fitim” – thotë Vathi.

Të njëjtën gjë e pohon për gazetën dhe Eni Xheko, administratore e hotelit “Xheko Imperial”, kur thotë se me gjithë kërkesat për shtyrjen e taksave, ata vazhdojnë të paguajnë kamatëvonesat

“I kemi kërkuar të shtyhet tatim fitimi, thamë deri në 2021-in ndërkohëqë sot në sistem vazhdojnë kamatëvonesat”, thotë Xheko.

Fondi
Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Turizmit, Matilda Naço e pyetur nga gazeta MAPO për situatën e turizmit në vend, thotë se qeveria në programet e saj duhet të planifikojë një fond të veçantë për biznesin e turizmit, dhe jo vetëm në kohë pandemie por edhe në vazhdimësi, pasi ky sektor në Shqipëri është sezonal dhe në muajt e dimrit operatorët janë të detyruar të paguajnë nga xhepi.

Që të ngrihej një fond specifik për turizmin ndoshta duhet të ndodhte kjo që ndodhi. Të ketë një fond të dedikuar për turizmin, për të parashikuar emergjencat për të parashikuar këto që thamë, mbajtjen e frymës, mbajtjen e hundës mbi ujë në ata tre-katër muajt e dimrit, se me thënë të drejtën kreditë ecin dhe në dimër nuk stopojnë, thotë Naço.

“Në mënyrë që ti jepet shtysë këtij motori të fuqishëm të ekonomisë, ne kërkojmë që qeveria të akordojë një paketë ndihme financiare të dedikuar për sektorin e turizmit, e cila do të ndihmojë këtë sektor për tu ringritur në një kohë të shpejtë, shprehet më tej.

Kërkesa të tjera të përfshira në peticionin e shoqatave të turizmit janë shtyrja e kësteve të kredive, shtyrja e taksave të pronës dhe taksat e tjera fiskale etj.

Peticioni dërguar Ramës nga agjencitë turistikë

Pasojat

Rezervimet për periudhën e pranverës ishin 100% të anuluara, ndërsa për sa i përket sezonit veror, rreth 80% e rezervimeve janë anuluar dhe 20% janë stopuar në pritje të një date udhëtimi e cila është në varësi të dinamikës së kësaj situate, dhe po kështu edhe për rezervimet e vjeshtës, ku deri më tani janë anuluar mbi 50% dhe për pasojë industria e turizmit do të humbasë rreth 1.5 miliard euro nga volumi që pritej të realizohej

I gjithë zinxhiri i bizneseve të turizmit, operatorët turistike, hoteleria, transporti turistik, guidat turistike dhe restorantet, po shkojnë drejt falimentimit, pasi janë anuluar të gjitha kontratat dhe për pasojë do kemi:

Rënie të të ardhurave deri në 80% nga mungesa e klientelës vendase dhe të huaj, ku përveç anulimit të kontratave ndikon edhe dobësimi i buxhetit financiar të qytetarëve;

Humbje të stafit të kualifikuar për shkak të reduktimit të fuqisë punëtore nga mungesa e likuiditetit deri në masën 70% ;

Braktisjen e profesionit nga Guidat e licencuara nga pamundësia për ta ushtruar dhe kërkimi i një pune tjetër nga problemet financiare;

Nisjen e një konflikti ligjor me bankat nga pamundësia e shlyerjes së kësteve të kredive.

Kërkesat
Çlirimin e bizneseve të turizmit nga të gjitha detyrimet fiskale deri më 31.12.2020 (përfshirë taksat lokale dhe taksën e pronës)

Subvencionimin e pagave minimale për të gjithë punonjësit e bizneseve të turizmit deri në kthimin në normalitet të aktivitetit,duke përfshirë edhe bonusin për punonjësit e larguar nga puna pas datës 10 prill 2020

Ngrirjen e kësteve të kredive aktuale dhe krijimi i kushteve për kredi të buta për investime dhe likuiditet për bizneset qëoperojnë në fushën e Turizmit. Për përmbushjen e kësaj pike kërkojmë që:

Të shtyhen afatet e pagesave të kredive, të paktën deri më 30 Mars 2021.

Qeveria duhet të mbulojë me grante nga BE interesin e stokut të kredive në këtë industri.

Tu mundësohet nga qeveria kredi bizneseve të turizmit nga kredia sovrane 100% me zero interes, jo më pjesëmarrje të riskut 60 me 40, pasi Bankat me kushtet që kanë e trajtojnë si kredi tregtare.

rritet kapitali i garancisë sovrane dhe tu krijohet mundësi kreditimi hoteleve nga kjo garanci deri 20% të ardhurave të realizuara në vitin 2019 me interes zero dhe gres periodë minimumi një vit, në mënyrë që ti shpëtojnë falimentimit.

Mbështetje nga qeveria me pagesa të sigurimeve shoqërore të sipërmarrjeve turistike me profil sezonal, dhe kryesisht ato qënuk kanë biznes të dytë gjatë periudhës se dimrit.

Pagesa e qirave të ambienteve ku ushtrohet aktiviteti në masën 50% për 6 muaj

Njësimi i TVSH në 6% për të gjithë sektorin e turizmit.

Nga praktika e deritanishme e mbështetjes së reduktuar vetëm të disa hallkave të turizmit, pavarësisht se ka pasur ndikimin e saj në rritjen e turizmit, nuk ka prodhuar një eficiencë të plotë tëkëtij sektori.

Stimulimi i turizmit të brendshëm nëpërmjet subvencioneve

Bonus për turistët vendas që do bëjnë pushimet në Shqipëri. Dhënia e një bonusi për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të stimulohen të bëjnë pushime në Shqipëri, vetëm nëse prenotojnë nëpërmjet turoperatorëve apo agjencive turistike vendase.


Etiketa: , , , ,

Pas