Përplasjet Greqi-Turqi vazhdojnë. Midis dy shteteve situata ngelet e tensionuar. Të dyja vendet ndërkohë po përgatiten, e po blejnë armatime.
Qeveria greke është në negociata me administratën amerikane për të blerë 18 deri në 20 avionë të gjeneratës së pestë F-35, por kjo ka acaruar Turqinë.
Gjenerali turk i dalë në pension Necat Eslen tha se në çdo rast, ata do të përdorin raketat S-400 ndaj këtyre avionëve duke rikthyer balancat në rajon.
“Nëse Greqia blen avionët F-35 ne do të përdorim sistemet raketore S-400 kundër tyre. E gjithë bota e di që këto avionë nuk janë të padukshëm ndaj sistemeve raketore ruse dhe ne do t’i përdorim ato pa hezitim kundër Greqisë“, u shpreh Eslen.
Turqia ka blerë tashmë raketat ruse, por deri më tani ka bërë vetëm një test për shkak të presionit ndaj NATO për të mos futur në gjirin e vendeve anëtare sisteme armatimi nga forcat kundërshtare, siç konsiderohet Rusia e Putinit.
Por blerja e këtij sistemi raketor ka sjellë përplasje e sanksione nga SHBA-ja, që është kundër të tilla armatimeve.