Ishte projektuar si një ndeshje e vështirë që nga minuta e parë, por fusha e lojës tregoi tjetër gjë, po të mos ishin shpërdorimet e Rey Manajt para portës turke, rasti i Lenjanit dhe gafa e Thomas Strakoshës në minutën e fundit të ndeshjes. Strakosha rikthen makthet e shumë viteve më parë kur kuqezinjtë ndëshkoheshin in extremis. Turqia fiton një sfidë për të cilën deri në minutën e 90 as që i mendonte tre pikët.
Një dalje e gabuar e Strakoshës, moskoordinimi me Ismajlin në zonën e rreptësisë, bën që Turqia të shënojë golin e fitores me anë të Tosun kur kronometri shënonte minutën e 90. Kampi turk shpërthen në festë, tifozeria vendase në ekstazë, ndërsa për kuqezinjtë është fundi i një makthi e bashkë me të edhe ëndrra për Euro 2020. Mbrëmje dramatike!
Sfida
Pjesa e parë e sfidës përfundoi me rrjeta të paprekura, ndonëse rastet më të mira për të shënuar ishin sërish të Shqipërisë me Memushajn i cili godet me kokë në minutën e 38 por portieri turk, Mert, është në vendin e duhur dhe Manajn, i cili nga një goditje dënimi gjuan fort drejt portës dhe gardiani turk s’bën gjë tjetër veçse e devijon në goditje këndi. Gjatë 45 minutave të para Strakosha nuk u vu asnjëherë në provë, pasi sulmet e turqve neutralizoheshin nga mbrojtësit.
Pjesa e dytë nis me turqit në sulm, por edhe ata janë të paqartë përpara portës së kuqezinjve. Nga ana tjetër, Edi Reja bën lëvizjen e parë në minutën e 57 kur nxjerr nga fusha e lojës Lenjanin dhe në vend të tij futet Roshi. Ky i fundit i hap jo pak punë mbrojtësve turk me inkursionet e tij në krahun e majtë. Rasti më i mirë për Shqipërinë është ai i minutës së 71 kur portieri turk arrin t’i heqë Manajt topin që po shkonte te këmbët e tij, ndërsa porta ishte e boshatisur. Çfarë shansi!
Pesë minuta më pas është sërish Manaj i cili avancon i vetëm përballë portës, por humbet ekuilirin dhe për rrjedhojë shpërdoron një tjetër rast të shkëlqyer për të kaluar në avantazh kuqezinjtë. Minutat kalojnë dhe duhej të vinte e 90-a për të vulosur dramën e kuqezinjve në stadiumin e Fenerbahçes në Stamboll. Strakosha del nga porta dhe tenton të largojë një top mbi kokën e qendërmbrojtësi Ardian Ismajli. Por në kohëvonesë. Porta e boshatisur, Tosun s’e ka të vështirë të shtyjë topin në rrjetë. 1:0 për Turqinë dhe ëndrra e Shqipërisë për t’u kualifikuar në “Euro 2020” është shuar.
Renditja
Turqia merr vendin e parë në Grupin H me 18 pikë, po aq sa edhe Franca. E treta renditet Islanda me 12 pikë, të cilët u mundën nga Franca, ndërsa Shqipëria është në vendin e katërt me 9 pikë pas 7 ndeshjeve të luajtura. Surpriza e kësaj mbrëmje ishte Andorra e cila mundi 1:0 Moldavinë.