Aktualitet

Tusk në Tiranë: Jeni afruar objektivit për çeljen e negociatave






               Publikuar në : 16:14 - 17/09/19 |
mapo.al

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, gjatë vizitës në Tiranë ka takuar Kryeministrin Edi Rama. Në përfundim ata kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për mediat. Tusk tha se Shqipëria i është afruar objektivit për çeljen e negociatave, vendim që pritet të merret në tetor.


Deklarata e tij



“Faleminderit për medaljen e mirënjohjes i dashur Kryeministër i Shqipërisë. Jam krenar, por mendoj se medalja më e madhe do të ishte çelja e negociatave. Unë e kam thënë edhe më parë ëndrrën time që Shqipëria ashtu si vendi im Polonia të ecë drejt Bashkimit Europian. E kam thënë para një viti këtë, por tani mund të them se në sajë të përpjekjeve tuaja, i jeni afruar këtij objektivi. Askush nuk duhet të ketë dyshime në Tiranë apo në shtetet anëtare të BE.

BE duhet ti çelë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe fqinjin tuaj Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Europian mbetet solid në dy kërkesa; sundimin e ligjit dhe fqinjësinë e mirë. Dhe mund të them se s’ka Europë të mirë e të qendrueshme pa integrimin e Ballkanit Perendimor”.

Ndërsa kryeministri Rama, duke i akorduar Presidentit të KE “Yllin e Madh të Mirënjohjes”, si shenjë vlerësimi për punën në procesin e integrimit, tha se Tusk ndodhet në Shqipëri për të dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë.

“Përtej të zakonshmes, jam shumë mirënjohës për vizitën e Presidentit Tusk, i cili rikthehet në Shqipëri dhe është sot këtu në funksion të asaj që ka qenë një prej pikave të palëvizshme të lidershipit të tij, procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Nga ana tjetër, më vjen mirë që sot pata ta falënderoj Tusk për gjithçka ka bërë dhe gjithashtu të ndaj me të një moment të veçantë për ne, duke i akorduar “Yllin e Madh të Mirënjohjes” dhe duke ndarë disa momente të rëndësishme jo vetëm simbolikisht në historinë e përbashkët mes dy vendeve”, tha Rama.


Etiketa: , ,

Pas