GJKKO liron gjyqtaren Mimoza Margjeka mbi të cilën rëndonin akuza për korrupsion.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit dha mesditën e sotme masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për gjyqtaren Margjeka, duke rrëzuar masën e deritanishme “arrest shtëpie”.
Gjyqtarja e Apelit në Korçë, sipas SPAK, ndryshoi masën e sigurisë të të arrestuarit Orion Bali – i akuzuar për kalim të paligjshëm emigrantësh – kundrejt shumës prej 6 mijë eurosh, në bashkëpunim me të shoqin Arben Cara.
Në fillim të muajit tetor, Margjeka u shfaq e revoltuar përpara seancës gjyqësore, teksa deklaronte se do të kërkonte heqjen e masës së arrestit.
Teksa po bëhej gati për t’u futur në sallë, Margjeka u shpreh se akuzat ndaj saj janë bërë për t’i prishur imazhin. Sipas gjyqtares, e gjithë kjo ndodhi pasi refuzoi të njihte zgjedhjet lokale në Durrës – t’i jepte mandatin Valbona Sakos.
Sa i takon të shoqit, Arben Cara, është lënë në fuqi masa e sigurisë e dhënë më herët, arresti në shtëpi.
Etiketa: GJKKO, Mimoza Margjeka