Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka pushuar çështjen ndaj shtetasve Bekim Protopapa, Ergys Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani të arrestuar në vitin 2016 si të dyshuar për përgatitjen e një sulmi terrorist gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.
Tashmë drejtësia shqiptare me pushimin e çështjes i ka shpallur të pafajshëm katër shtetasit e sipërmendur ndaj dyshimeve të mëparshme.
Këta shtetas dyshoheshin për veprat penale “Vepra me qëllime terroriste”, “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Organizata Terroriste”. Kërkesa për pushimin e kësaj çështjeje është bërë nga vetë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ose SPAK siç njihet të cilën Gjykata e pranoi duke pushuar masat e sígurisë ndaj tyre.
Katër shtetasit Bekim Protopapa, Ergys Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani, bashkë me disa shtetas nga Kosova u arrestuan si të dyshuar se kishin kontakte me terroristë të ISIS në vitin 2015 si Lavdrim Muhaxheri apo edhe të tjerë xhihadistë dhe radikalë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Pavarësisht këtyre dyshimeve policia dhe prokuroria nuk arritën asnjëherë që të sigurojnë këto prova që pretendojnë dhe për të cilat bënë arrestimet duke bërë që pas më shumë se 3 vitesh të akuzuarit të marrin pafajësinë.