Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në një intervistë që ka dhënë për radio televizionin gjerman “Deutsche Welle”, është ndalur edhe tek arratisja e paraardhësit të tij, Nikolla Gruevski.
Ai është shprehur se qeveria hungareze ndihmoi Gruevskin të arratisej nga vendi dhe i dha atij leje qëndrimi në Hungari, teksa shton se po kërkojnë një mënyrë për ta rikthyer atë në Maqedoni, në mënyrë që të kryejë dënimin e tij në burg.
“Qeveria hungareze ndihmoi Gruevski të arratisej nga Maqedonia Veriore dhe i dha atij një leje qëndrimi në Hungari, e cila për mendimin tonë shkel ligjin ndërkombëtar. Tani po kërkojmë një mënyrë ligjore për ta kthyer atë që të vuajë dënimin e tij me burg. Shumë ish-ministra të tjerë janë në paraburgim ose tashmë vuajnë dënime me burg, madje edhe nga qeveria aktuale. Njerëzit e afërt me këtë qeveri po ndiqen penalisht në gjykatë, ose janë tashmë në burg,”- tha Zaev.
Nikolla Gruevski u arratis nga Maqedonia e Veriut në nëntor 2018, dhe e kaloi kufirin me një pasaportë të rremë, duke kaluar edhe nga kufiri shqiptar.
Gruevski në Maqedoni, akuzohet për shpërdorim detyre, dhe për blerjen e një makine tip “Armored Mercedes” me vlerë 600 mijë euro.