Lajmet për arrestimin e ish-deputetit Alqi Bllako kanë qenë kontradiktore ditën e sotem. Disa media shkruajnë se ai u arrestua, e të tjera që ai është vetëdorëzuar në Polici. Madje ka edhe nga ato media që thonë se Bllako nuk është arrestuar ende.
Ndërkohë, GJKKO dha masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tij.
Sipas Euronews, forca policie janë parë në banesën e Alqi Bllakos te rruga e Elbasanit, ndërsa vetë ish-deputeti nuk është parë në drejtorinë e policisë, aty ku shoqërohen fillimisht personat e arrestuar.
Nga ana tjetër, nuk ka ende asnjë njoftim nga Policia për arrestimin e Bllakos me kërkesë të SPAK-ut.
Avokati Sokol Hazizaj, i kontaktuar nga report Tv thotë se nuk është njoftuar për arrestimin dhe se ai ka një prokurë për përfaqësimin e Bllakos. Telefoni i Bllakos prej ditësh del i fikur.
Në mungesë të informacionit nga autoritetet, nuk dihet nëse ish deputeti të jetë arratisur para se policia të ekzekutojë masën e gjykatës.
Mbi Alqi Bllakon rëndojnë dy akuza: shpërdorim detyre dhe korrupsion. Sipas kodit penal, kjo dënohet nga 7-12 vite burg.
Sipas prokurorisë në vitin 2019, Bllako ka shkuar në Itali me Klodian Zoton, i shpallur në kërkim për aferën e tre inceneratorëve.