Ka marrë përmasa tragjike situata me helmimin nga uji në Deçan të Kosovës, ku raportohet se kanë humbur jetën dy persona, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë përfunduar në spital.
Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se kanë ndodhur dy raste të “Vdekjes së dyshimtë”, për shkak të situatës së krijuar në atë rajon, pas ndotjes së ujit të pijshëm.
Lajmin e ka konfirmuar për mediet fqinje zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.
“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë ai.
Ndotja e ujit
Prej disa ditësh qytetarët nga Deçani janë ankuar për probleme shëndetësore, pasi dyshohet se janë infektuar nga uji i pijshëm. Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha dy ditë më parë se Shtabi Emergjent i kësaj komune ka vendosur që të ndërpresë furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra.
Sipas tij, në fshatrat Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i Ri, do të ndërpritet rrjeti i ujësjellësit deri kur edhe do të dalin analizat nga instituti.
Stafi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare ka shtuar kapacitetet për t’i dhënë ndihmën e nevojshme të gjithë qytetarëve, shkruan Ramosaj në “Facebook”.
Postimi i Bashkim Ramosaj:
Të dashur qytetarë të Komunës së Deçanit, pas gjendjes së krijuar sot ku shumë qytetarë kanë pasur simptoma të helmimit, edhe pse ende nuk dihet arsyeja e helmimit, Shtabi Emergjent mbajti një takim dhe u vendos që;
– Në fshatrat Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i Ri, të nderprehet rrjeti i ujësjellsit deri nesër ku edhe dalin analizat nga instituti.
– Stafi i QKMF-së ka shtuar kapacitetet dhe po punon pa ndal në ndihmë të qytetarëve të komunës sonë.
– Barnatoret edhe pse ditë e Diel të gjitha janë të hapura.
Ju dëshiroj shërim të shpejt të gjthë qytetarëve që kanë simptoma të helmimit, ju lus ta merni me qetësi pasiqë gjendja është nën kontroll dhe stabile!