Zbardhet dëshmia e efektivit të RENEA-s Xhulio Liçi, i cili u arrestua pak ditë më parë pasi u kap me 1 kg kokainë. Xhuljano Liçi është shprehur se nuk ka lidhje me drogën, ndërsa thekson se gjatë kthimit nga Fieri për në Tiranë ka marrë një pasagjer rrugës
“Jam efektiv i policisë dhe po udhëtoja nga Fieri drejt Tiranës. Përgjithësisht rrugës së kthimit marr njerëz. Në zonën e Plepave një person ngriti dorën dhe unë e mora në makinë. Me vete kishte një pako që e vendosi në bagazh”– kjo ka qenë dëshmia e Xhuljo Liçit ndërsa sipas policisë ai nuk ka kontakte me dy personat e tjerë të arrestuar Ded Nimani me precedent të mëparshëm në fushën e drogës dhe Luan Gaçi.
Por si u kapën?
Rreth orës e 11:12 minuta të ditës së shtunë në aksin rrugor Tiranë-Durrës në rrugën e vjetër në Ndroq, në ambientet e jashtme të një lokali, policia gjeti të parkuar automjetin Benz me targa AA463TO.
Automjeti drejtohej nga Luan Gaci dhe po në këtë vend afrohet dhe parkohet automjeti tjetër po Benz me targa AB 892 BZ ku ndodheshin 2 persona, drejtues ishte Xhuljo Liçi dhe pasagjer ishte Ded Ninami.
Këta dy të fundit dalin nga automjeti duke shkuar tek bagazhi i makinës me targa BZ. Në atë moment u afrohet edhe Luan Gaci. Të tre personat hapin bagazhin e makinës dhe Xhuljo Liçi nxjerr një pako në formë drejtkëndore e mbështjellë me plastmas transparent. Brenda saj kishte lëndë narkotike të llojit kokainë të cilën po e mbante në dorë në prezencë të Nimanit dhe Gacit duke biseduar me ta.
Pikërisht në këtë moment është bërë ndërhyrja nga ana e policisë dhe Liçi ka hedhur pakon në tokë. Pakoja me droge kishte mbishkrimin “Baron” për këtë arsye operacioni i policisë u kodua me këtë emër.