Korçë – Dy të rinj janë arrestuar në Devoll, pasi u kapën duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm kundrejt shumave të ndryshme monetare.
Bëhet fjalë për të identifikuarit me iniciale B.A., 25 vjeç dhe N.B., 30 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje – të dy banues në Golem.
Të rinjtë u konstatuan në afërsi të fshatit Vishocicë, me dy makina tip “Range Rover” dhe “Golf”.
Gjatë kontrollit të ushtruar, u gjetën 13 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ndaj të arrestuarve rëndon tashmë akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i Policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
U kapën duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Devoll, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve B. A., 25 vjeç dhe N. B., 30 vjeç (i dënuar më parë për vjedhje) të dy banues në Golem.
Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në afërsi të fshatit Vishocicë, Devoll, dy mjete tip “Range Rover” dhe “Golf” për të cilët kishte dyshime se po transportonin emigrantë të paligjshëm dhe janë vënë në ndjekje të tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Range Rover” me drejtues shtetasin B. A., u gjetën 13 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.
Nga hetimet e kryera rezulton se edhe shtetasi N. B., i cili drejtonte mjetin tip “Golf”, ishte bashkëpunëtor me 25-vjeçarin B. A., në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.