Gjykata e Elbasanit ka lënë të lirë Azem Hajdarin, djalin e heroit të demokracisë Azem Hajdari dhe gjyqtares së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari, i cili u kap me 8.8 gramë kanabis në makinë.
Gjyqtari Taulant Tafa vendosi ndaj tij dhe shokut Ergi Gjumsi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” edhe pse prokurori Ritvan Suka kishte kërkuar caktimin e masës së “arrestit në burg” me afat 1 mujor për ta.
Arrestimi i tyre u bë me 23 korrik. Sipas materialeve hetimore, orës 19:50 punonjësit e policisë së Elbasanit kanë kontrolluar automjetin tip ”Audi” me targe AA 330 YZ, me sens lëvizje nga Bradasheshi në drejtim të Elbasanit.
Në makinë udhëtonin 3 persona, drejtuesi i automjetit ishte Ergi Gjumsi, pasagjer në vendin e parë, Azem Hajdari dhe një vajzë, e fejuara e këtij të fundit, e ulur në sediljen e pasme.
Gjatë kontrollit fizik të Azem Hajdarit, në xhepin e majtë të tutave sportive është gjetur një cigare të dredhur, me filtër, e mbushur me lëndë e dyshuar si ajo e kannabis sattiva.
Ndërkohë gjatë kontrollit fizik të automjetit me targa AA 330 YZ në sediljen e pasme është gjetur një çantë, ngjyrë kafe me kuadrate, marsup meshini, me rrip ngjyrë kafe.
Brenda saj janë gjetur 5 paketime të mbështjella me letër alumini ngjyre varaku, ku brenda tyre kish material bimor i cili për nga aroma dhe karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike bimore te llojit ”Cannabis sattiva”.
E gjithë sasia e drogës e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ishte 8.8 gramë, duke përfshirë dhe ambalazhin njofton prokuroria.
Të tre të rinjtë po udhëtonin nga Tirana në Pogradec, për të shkuar tek shtëpia e Ergit.