Përparim Ademi, 59 vjeç, ka dhënë dëshminë e parë në Policinë e Tiranës, pas arrestimit për vrasjen e dy motrave mëngjesin e sotëm në zonën e Astirit.
Ai ka rrëfyer motivet e krimit, duke deklaruar se ka qëlluar me kallashnikov drejt dy motrave, bashkëjetueses së tij Zhaneta Metani dhe kunatës Kristina Bardhi, për arsye xhelozie.
“Vrasjen e kam bërë për motive xhelozie, u nisa për t’u vetëdorëzuar në polici”, ka thënë ai.
Mësohet se çifti kohët e fundit kishin pasur shumë konflikte dhe e nisur nga kjo Zhaneta i kishte kërkuar Ademit të ndërprisnin lidhjen e tyre.
I pranishëm në banesë në momentin e krimit ka qenë edhe djali 14 vjeç i Zhanetës.
Autori i ngjarjes që tronditi mëngjesin e sotëm Tiranën ka thënë se ai është arrestuar në momentin që po shkonte të dorëzohej në polici. Arrestimi i tij është bërë i mundur në afërsi të Drejtorisë së Policisë.
Viktimat mësohet se ishin nga Tirana, ndërkohë që 59-vjeçari kishte jetuar në Maqedoninë e Veriut.
Ngjarja ndodhi në katin e tretë të një apartamenti në rrugën “Astrit Dushi” të Astirit.