Aktori i humorit Erion Isai, i cili është përfolur shumë për largimin e tij nga spektakli “Portokalli”, ka zbuluar së fundmi arsyet që e çuan në marrjen e këtij vendimi. I ftuar në emisionin “Tempora”, Erioni zbuloi se nuk u largua për pasojë të ndonjë kapriçoje, por për shkak se i kishte ardhur momenti për të bërë diçka tjetër. Më tej, Isai zbuloi se vëmendja e tij është përqendruar tanimë jo tek aktrimi, por tek regjia dhe skenari.
“Më bëhet qejfi që pas 2 vitesh kur u largova nga Portokallia të flas me zë dhe figurë. E vërteta është se nuk do isha përballë teje këtu nëse nuk do ekzistonte Portokallia. Portokallia i besoi një djali të ardhur me autobus në 3 të mëngjesit nga Erseka, skenën më të lakmuar në Shqipëri në ato vite. Vendimi im për t’u larguar nga Portokallia nuk erdhi për shkak të një kapriçoje apo të një sherrnaje”– u shpreh fillimisht ai.
“Erdhi si një moment reflektimi i një artisti, me shqetësimin se unë nuk mund të jepja më shumë se kaq sa i dhashë Portokallisë në aspektin skenik. Realizimin e figurave komike ashtu siç po e bëjnë kolegët e mi sot unë nuk arrij ta bëj. Dhe atë pjesë që unë vazhdoj ta bëj në BE Caffe…absolutisht vëmendja dhe figurat kryesore të asaj rubrike janë Bes Kallaku dhe Olsi Bylyku. Jam i lumtur të jem shoqërues i tyre në skenë. Unë e kam vëmendjen time tek skenari, regjia, prapavija”– përfundoi Erion Isai.