fbpx

Dikur

U prenë në besë! Si i pushkatoi Shefqet Peçi 21 burra në Buzëmadhe






               Publikuar në : 09:50 - 21/09/19 |
Nga Petrit Palushi

Më 26 shtator 1944  brigada e V-të partizane e drejtuar nga Shefqet Peçi kreu një masakër të vërtetë në fshatin Buzëmadhe në Kukës, ku pushkatoi pa asnjë gjyq dhe pa asnjë faj 21 burra të këtij fshati. Si ndodhi masakra, si u futën në kurth banorët nga partizanët dhe një rrëfim nga dëshmitari i ngjarjes Halim Sali Lala, që i vranë vëllain para syve


Nga Petrit Palushi*



75 vjet më parë, me 26 shtator të 1944-s, Komandanti i Br. së 5-të partizane, Shefqet Peçi, kreu masakrën ndaj 21 banorëve të pafajshëm të Buzëmadhes.

Shefqet Peçi u arrestua më 11 tetor të vitit 1995 dhe u akuzua, sipas organit të akuzës, se kishte urdhëruar vrasjen e 21 fshatarëve nga Buzëmadhja, kur qe në pozicionin e tij si komandant i ushtrisë. Ai ishte personi i parë i akuzuar nën ligjin e gjenocidit, i cili kaloi në Parlament më 20 shtator të vitit 1995. Sh. Peçi vdiq në burg 12 ditë mbas arrestimit.

Para se të ndodhte Masakra në Buzëmadhe, nga partizanë të Br. së V u përndoq të vritej nacionalisti i njohur M. Bajraktari, për faje të Br. së V represive ndodhi Lufta civile në Lusën (20 – 23 shtator 1944), një ditë më pas u pushkatua Llazar Fundo dhe me 26 shtator të ’44-s, Sh. Peçi kreu Masakrën në Buzëmadhe.

1. Duhej që hakmarrja t’ish e rëndë, e drejtpërdrejtë, e një lloji të pashfaqshëm më parë mu në një katund me rreth 50 shtëpi, duhej që terrori t’ish i plotë dhe pa mungesa, pa kurrfarë qortimi të mundshëm. Kreu i formacionit partizan, pra krijoi një raport të çuditshëm si të peshkaqenit me gjahun. Gjahu ishte para syve të tij: banorë me halle, të lodhur mu prej jetës së rëndë dhe një përditshmërie vazhdimisht të trazimtë. Afërmendësh se, pak rëndësi kishte për të, nëse do merreshin 21 jetë të pafajshme, se 21 shtëpive do t’u thyheshin trarët e shtëpive, se do të mbeteshin 16 gra të veja, se do të mbeteshin 58 fëmijë jetimë.

Rrëfimet për atë çka u krye atë ditë, janë megjithatë të paplota, copa-copa, janë rrëfime ku, sidoqoftë rrëfimtarët kërkojnë t’i mbledhin tubë në një shprehje të vetme: Kemi pa t’papamen me sytë tanë! Qoftë edhe një pjesë e rrëfimit të Hysen Sali Lalës, e njërit prej të paktëve që i shpëtuan masakrës është kallëzimi për mizorinë brenda ferrit. Me gjithë këmbënguljen time, duke e pa drejtas në sy, madje edhe si me shenjë lutëse, ai sikur këmbëngulte të mos e jepte të plotë rrëfimin, pikërisht atë pjesë që kish të bënte me tmerrin që panë dhe përjetuan. Pjesa më e dhimbshme dhe e trishtë e rrëfimit duhej me u mbyllë hermetikisht.  Është çasti i lëvizjes së kufomave (“Trishtimin e asaj ditë vetëm Natës vorrit kam me ia kallzue”), një çast vdekjetar me një solemnitet të përzieshëm. Prandaj rrëfimtari mendonte se një kallëzim i tillë mund të ruhej vetëm për në bujtinzën e fundit, për Natën e Vorrit. Kjo lidhet me mendësinë e krijuar se vetëm n’atë qetësi të nëntokshme (kontakti i parë i të vdekurit me vorrin), rrëfimi mund të jetë deri diku i plotë, por natyrisht, një rrëfim i tillë, si një shmallje e fundit e të vdekurit kryhet mu aty në bujtinzën e vet, të mbyllur hermetikisht.

Anipse bilanci qe fort tragjik dhe në regjistrin e kujtesës shënoheshin 21 vetë të ekzekutuar, në një regjistër tjetër, të trishtë, shënoheshin emrat e 58 fëmijëve të mbetur jetimë.

Mbas krimit, erdhi mbulesa e tij, edhepse qe i shplueshëm krej-e-krejt, justifikimi, ndonjë qortim i zbehtë njëjtë si me kalu radhën si në Plenumin e Beratit në tetor të 1944-s dhe njëkohësisht përpjekja e mundimshme me e futë në shtjellat e harresës.

Sh. Peçi, njëkohësisht dhe afërsat e vet të masakrës, asnjëherë nuk shfaqën pendesën më të vogël ose më saktë, të ndihej sadopak një shenjë pendese.

2. Kur përmendet një masakër, fillimisht kërkohet informacion për numrin e të vrarëve, më pas pse ndodhi dhe me një vëmendje t’atypëratyshme mund të shihen edhe pasojat e saj.

Njëjtë edhe me masakrën që u krye në Krue të Bardhë, e paramenduar deri n’imtësi, por njëkohësisht, edhe e paralajmëruar.

Një pamje gati-gati sureale, ndoshta e papërfytyrueshme edhe prej syrit me shumë dritë e kthjellti përfytyrimi. Një trandje e atypëratyshme për këdo që e mëson për herë të parë.

Regjistri është plotmbushë me një idhëti të paskaj, qoftë edhe në kujtesën e banorëve të katundit dhe vjen deri në kohën tonë, padëmtueshëm, pa kurrfarë shrregulltie a mungese, por njëkohësisht pa pasë nevojë për plotësim të mundshëm.

Natyrisht që makrotema e ngjarjes është pushkatimi i 21 vetëve2 të pafajshëm:

  1. Dan Rexhep Lala, 53 vjeç
  2. Mehdi Rexhep Lala, 39 vjeç
  3. Ramiz Sali Lala, 30 vjeç
  4. Arif Tahir Lala, 36 vjeç
  5. Nuhi Musë Lala, 35 vjeç
  6. Tahir Ali Lala, 19 vjeç
  7. Sulë Etem Lala, 27 vjeç
  8. Imer Etem Lala, 24 vjeç
  9. Zenun Habib Lala, 40 vjeç
  10. Muharrem Habib Lala, 37 vjeç
  11. Cen Mexhit Lala, 39 vjeç
  12. Rexhep Ramadan Lala, 45 vjeç
  13. Rakip Ramadan Lala, 40 vjeç
  14. Qazim Selim Lala, 45 vjeç
  15. Sulejman Hasan Vellku, 45
  16. Riza Halim Hoda, 45 vjeç
  17. Zylbehar Nuhi Bresa, 22 vjeç
  18. Jemin Hakik Bresa, 37 vjeç
  19. Qamil Shivar Tola, 42 vjeç
  20. Isak Islam Bresa, 23 vjeç
  21. Arif Ramadan Mata, 47 vjeç

N’atë regjistër, katër shtëpi (familje), humbën nga dy vetë, pjesëtarë të familjes (vëllezër).

Mbetën të veja, 16 gra, të cilat do të rritnin me mundim fëmijët e tyre. Përfytyroni për një çast, vetëm rropatjen e tyre me rritë fëmijët, n’atë katund vështirësisht të jetueshëm.

Si për rastësi, dy vjet më vonë, jo shumë larg vendit ku qe krye ajo masakër, një grup i madh nacionalistësh që përndiqeshin prej regjimit komunist, 56 vetë, nën drejtimin e M. Bajraktarit do niseshin në rrugëtimin e vështirë drejt Greqisë. Një vit më vonë, në Greqi, M. Bajraktari do të denonconte zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1945 si “të rreme e absolutisht formale, të realizushme nën presionin e policisë e nën një klimë frike”.

Çdokush, kur njihet me ngjarje të tilla tragjike si ajo e Kroit të Bardhë, sidomos kur njihet me to për herë të parë, e ka jashtëzakonisht vështirë të shqitet prej ankthit dhe pezmit.

Megjithatë, pyetjet janë të shumta.

Përse u realizua masakra? Si ndodhi? A i zuri gjaku ekzekutuesit e 21 vetëve? Ç’ish një letër e E. Hoxhës që i drejtohej Sh. Peçit, letër ku shkruhej se ata, dmth., banorët e Buzëmadhes të mos pushkatoheshin, një letër-fantazmë, letër e sjellë si nëpër mjegull prej atëherë, njëjtë si letra-fantazmë për mospushkatimin e Ramize Gjebresë? Në ç’vend u hartua lista ku u renditën emrat e 21 vetëve që do pushkatoheshin pa gjyq dhe pse të pushkatoheshin? Pse pushteti komunist gjatë qeverisjes së vet heshti dhe bëri çmos, aq sa mund të bëhej që krimi të zhytej në humnerë? Pse historianët tejet konformistë e të nënshtrueshëm heshtën aq gjatë ndaj të vërtetës?

Sapo i afrohemi humnerës së t’vërtetës, gjithçka prej ngjarjes nis e shmjegullohet.
Një krim që, edhe pse u krye në mesin e shekullit të XX, sikur vjen prej legjendave të hershme dhe në përfytyrimin e çdokujt mund të rishfaqen vetvetishëm të gjitha.

Është historia e një krimi mbi pafajësinë e 21 banorëve.

Është gjithashtu rrëfimi për krimin e kryer të 26 Shtatorit të ’44-s, por që u mbrojt dhe u fut në humnerat e heshtjes prej regjimit komunist.

 

Rrëfimi i Halim Sali Lalës: Minutat e tmerrit para pushkatimit

Rrëfimi i Halim Sali Lalës: “Asht nji ngjarje si s’harrohet kollaj. E s’ka si me u harrue!

I morën njerëzit me zor, n’fillim u thanë për nji mbledhje n’Krue t’Bardhë e ma mbrapa i mashtruen e i pushkatuen. Asht nji e preme n’besë bukur e madhe. Robi i Zotit s’e ban at lloj poshtërsije, po Shqefqet Peçi kish qenë lloji i robit të keq. E ai e ka ba at gja me i futë tutën katundit tonë e krejt Lumës tejpërtej. Ai me shokët e vet kah anët tona ka ba terror shum t’madh. Kah anët tona s’pat gjermanë. At’here çfarë dreqin deshi me ardhë te katundet tona? E puna e vet, si punë bash e keqe u mbulue prej komunistave për gjithato vjet rresht.

17 vjet qeshë at’herë. Më duket se i pata kalue 17 vjetët.

Krejt gjanat e tjera t’i paskan kallëzue. E ato janë përnjimend se kam qenë vetë kur ndodhi hataja. Po ne s’na e mirrke mendja se kish me krisë puna n’at farë feje se s’kishna me ra t’gjallë në duert e atyne katilave. Mos e dhantë Zoti, se na shkoi krejt katundi!

Qemë nise me shkue n’mbledhje, po pa mbërrijtë në Krue të Bardhë partizanët na kanë lidhë. E mëtova menjiherë se punët tona po shkojshin keq. N’Krue t’Bardhë, mbas do fjalëve tjera, kur njani prej partizanve na pyeti se cili prej nesh kish me dalë partizan, Dan Rexhepi si e pata ma ngat, m’preku e m’tha se duhej të dilsha unë. Nuk e di po mue m’u dha me thanë “po”. E kështu u bamë katër vetë. Përveç meje, edhe Iljaz Avdyli, Mersin Qazimi e Hatip Jemini. Ne, të t’katërve na kanë zgjidhë e na kanë qitë veç tjerëve.

Ma mbrapa i kanë thirrë njerëzit me emna. Zgjidh menjianë e lidh në tjetrënanë. Plot njizet e sa vetë. Kur Imer Etemi, vllai i Sul Etemit ia ka kthye fjalën nji oficeri, e kanë pushkatue n’vend. Imerzeza qe i fejuem e martohej mbas dy jave.

E pamë se e kishim punën fort keq, po me ikë qe e zorshme. S’kishna se kah dreqin me ikë!

Nji pjesë t’burrave t’katundit i lanë të lirë e u thanë me e marrë trupin e pajetë t’Imer Etemit me e çue n’katund, ndërsa atyne tjerëve si ishin t’lidhun, u thanë se kishin me i çue’ n’Bice. E mbaj mend fort mirë se Dan Rexhepi e kuptoi se kishin me i pushkatue e u tha se ai bahej kurban i tyne e t’mos e dëmtojshin krejt katundin. Dani qe trim e me mend. Po njani prej partizanëve iu përmblodh Danit mos me folë ma.

Mbas asaj rrëmuje u ndamë.

Unë shkova me nji grup partizanësh. Jemi sjellë si andej-këndej; nja dy orë para se me u terrue kemi shkue te Kodra e Ballnave. U afruem te nji lehrë gurësh, po u trishtuem. Gjithato katundarë t’Buzmadhes t’pushkatuem. T’lidhun nja me nja. Me to i pushkatuem edhe vllai em, Ramizi. U trishtuesh sa s’kallzohet. U bana krejt vner. A m’paska shkue vllai? M’paska shkue. A paskan shku gjithato vetë? Paskan shkue. Nuk po më duhej ma shpirti. Po shpirti i njeriut nuk po dilke kollaj. M’u mbushën sytë me lot. Vuna re se edhe do partizanë u prekën fort. Mbaj mend se u thashë: “S’po rri ma me ju se ma paskan vra vllain”. Hala se kuptoj edhe n’ditë t’sodit si kam mbetë i lirë. E ndava mendjen dhe u nisa, po mbasi bana bukur do hapa m’erdhën do pushkë mbrapa. S’kishëm kohë me e kthye kryet me pa kush po qitke me pushkë. Pushkët s’ndaleshin. S’po ndigjojsha ma. M’u veshën veshët. Ec e rrëzohu, ec e rrëzohu. Plumbat për nafakën teme s’më kapën…

Ma s’fundi mbërrijta te oborri i shpisë. Nanëzeza kish qenë përjashta, ngat derës.

– A mbet kush gjallë? – pyeti nana.

– Jo, – moj nanë, – fola si rrëmisht. – S’ka shpëtue asnji për be. I kanë lanë si turrë drush n’Kodër t’Ballnave. Edhe Ramizi me tjerët.

Nana nisi tue britë e un mbeta n’vend i mpimë. S’kisha fuqi as me ecë, as me folë, mbeta si dru n’vend.” (Në Buzëmadhe, 22. 09. 1994)

 

Rrëfimi i ish-partizanes: U njohëm e hëngrëm me ata njerëz  

Nënoçe Osmani ishte partizane e brigadës së V-të dhe ndodhej e sëmurë në fshat kur ndodhi masakra. Ajo, dhe pse nuk ishte pjesë e organizimit dhe vrasjes së 21 banorëve,  ka pranuar më pas në nëj rrëfim të saj pendesën për këtë masakër.

Ja si shprehet ajo:

“Të vret Perëndia t’i harrosh mikpritjet kuksiane. Si tashti e kujtoj drekën lumjane të Bajramit. Këtë ditë duhej të përurohej Brigada 24 S. Pse ishte caktuar ajo ditë, vonë e kuptova gabimin e vendimit të Brigadës 5 e të rrethit. Kjo preku ndjenjat fetare e shërbeu si pretekst në ndeshjet partizanë – nacionalistë. Dhe Brigada 24 nuk u formua atë datë. Përkrahës të Bajraktarit pati edhe nga Buzëmadhja, të cilët vala i përfshiu në dyluftime. Patëm humbje të mëdha, por edhe kuksianë u vranë. Në mbrëmjen e ftohtë zbritëm me shokun Shefqet në Buzëmadhe. Unë isha e sëmurë me të ftohtë dhe më shërbyen gratë e një hoxhe (shehu). Disi e mblodhëm veten, por të nesërmen shkuam në Kroin e Bardhë. Atje asistoi vetë komandanti i Brigadës. Ai i pyeti se kush ju udhëhoqi që na qëlluat? Po… pasi larguan shumicën, pjesa e mbetur u pushkatua. Siç mora vesh, komanda e Brigadës 5 s’ishte konsultuar me drejtuesit e LANÇ e të BP të Lumës. Duke qenë e pranishme në atë ngjarje, që s’më kishin zënë ndonjëherë sytë, shkoja me mendimin se lufta të revolton dhe, kur shikon shokun të vrarë nervat ngrihen. Mirëpo, me banorët a duhej kësisoj? Që nga ajo ditë, ndonëse partizane e thjeshtë, lindi ideja e mosndëshkimeve. Sepse më vinte rëndë nga ata njerëz që u njohëm e hëngrëm me ta. Aktin me Buzëmadhen nuk e pritën mirë shumë partizanë. Ato s’e përkrahnin gjaknxehtësinë e Shefqetit, edhe pse ushqenin dashuri e respekt për atë derisa ndërroi jetë. Një herë, kur pata rastin ta takoja, ia përmenda Buzëmadhen, por heshti si përpara një hidhërimi e nga goja nuk nxori fjalë.” (V. Kasapi, Mrekulli e natyrës, kështjellë e historisë, Deas 1998, f. 235-236)

 

58 jetimët që u rritën si fëmijë të “reaksionarëve”

Regjistri i pasojave të asaj çka ndodhi, merr pamje të zymtë tek numri i fëmijëve të mbetur jetimë, gjithsej 58:

7 fëmijë të Dan Rexhep Lalës

7 fëmijë të Mehdi Rexhep Lalës

3 fëmijë të Ramiz Sali Lalës

5 fëmijë të Arif Tahir Lalës

4 fëmijë të Nuhi Musë Lalës

4 fëmijë të Zenun Habib Lalës

1 fëmijë i Muharrem Habib Lalës

1 fëmijë i Cen Mexhit Lalës

4 fëmijë të Rakip Ramadan Lalës

2 fëmijë të Rexhep Ramadan Lalës

1 fëmijë i Qazim Selim Lalës

3 fëmijë të Sulejman Hasan Vellkut

4 fëmijë të Riza Halim Hodës

2 fëmijë të Jemin Hakik Bresës

3 fëmijë të Qamil Shivar Tolës

7 fëmijë të Arif Ramadan Matës

Ndër shtatë fëmijët e Dan Rexhep Lalës, një qe ende në barkun e nanës së vet dhe do të vinte në jetë me 3 mars të 1945-s. Në kujtim të babës së vet, vajzës që s’do ta njihte babën e vet gjithmonë e jetë, ia ngjitën emrin Danie (Dan + ie / Danie).

Tani, është tepër e vështirë ta marrim me mend si u rritën fëmijët e të pushkatuarve në Krue të Bardhë. Nanat e tyne u kthyen në zonja të përnjimenda; gjetën guxim që mirërritja e fëmijëve t’ish sa më e fisnikshme: në vuajtje, në skamje, por jetën ta merrnin siç ua kish sjellë fati i mbrapshtë dhe, megjithatë të fitonin mbi të. Ata, çuditërisht duhej të rriteshin me përçmimin si “fëmijë të reaksionarëve”.

*Pjesë nga libri “Masakër në Buzëmadhe 26 Shtator 1944”, botim OMBRA


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas