Bledar Birçaj, 40 vjeç është ekzekutuar në një atentat me breshëri kallashnikovi mesditën e sotme në qytetin e Vlorës.
40-vjeçari po udhëtonte me një automjet tip BMW X5 kur në vendin e quajtur “Bishti i Kalldrëmit” është qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar të cilët ndodheshin në një automjet tjetër.
Drejt automjetit tip BMW X5 është qëlluar rreth 15 herë dhe atentatorët kanë pasur për qëllim të asgjësojnë viktimën. Bledar Birçaj ka marrë në trup të paktën 10 plumba. Autorët janë siguruar që nuk gabuan në shënjestër dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Në zonën ku ka ndodhur ngjarja ka disa kamera sigurie, por nuk dihet ende nëse ato kanë fiksuar autorët në momentin e atentatit.
***
Bledar Birçaj, i ekzekutuar sot në Vlorë, nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë. Në janar të 2011 ai u arrestua në Vlorë si i dyshuar për vrasje, duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin e marsit 2011, ka caktuar si masë sigurimi “arrest me burg” pa afat.
Në prill masa ndaj tij ndryshoi nga Gjykata e Vlorës nga “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve. Por në korrik 2011 u vendos pushimi i hetimit penal në ngarkim të Bledar Birçaj duke u lënë i lirë.
Njoftimi i Policisë
Në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip” BMW” me drejtues shtetasin B. B rreth 40 vjeç ,i cili si pasojë e plagëve të marra është transportuar në spitalin e Vlorës, ku dhe ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet nē vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.