Një sherr mes të rinjsh ka degjeneruar deri në përdorimin e mjeteve të forta. Një 25-vjeçar ka qëlluar me gërshërë në kokë moshatarin e tij, pas një konflikti banal. I plagosuri është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë, ku dhe po merr trajtimin e duhur shëndetësor.
Ndërkohë policia ka vënë në pranga autorin.
Njoftimi i policisë
Sot (7 tetor) u arrestua në flagrancë shtetasi O.D., 25 vjeç, banues në fshatin Rinia, Durrës, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Kjo pasi për motive të dobëta ka plagosur në kokë me gërshërë shtetasin E. I., 26 vjeç, banues po në fshatin Rinia.
Ky i fundit sipas policisë, ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, megjithatë gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.