Gjykata e Posaçme liron nga sekuestroja dhe i kthen automjetin e blinduar “BMW” ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha.
Makina e Berishës u sekuestrua nga SPAK në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit (OFL) më 4 shkurt të këtij viti.
Por, automjeti duket se rezulton me dokumenta të rregullta. Avokati i Lulzim Berishës, Detar Hysi deklaroi se pasuria e klientit të tij është e ligjshme.
Në “sitën” e OFL-së kanë kaluar 21 prona të Lulzim Berishës, 4 prej të cilave të sekuestruara në procese të tjera gjyqësore.
Mes tyre ishte edhe automjeti i blinduar tip “BMW”, me vit prodhimi 2010, një biznes bar-kafe dhe 40% të aksioneve në një kompani për tregtimin brenda dhe jashtë vendit të hidrokarbureve, për të cilat gjithashtu kërkohet sekuestro.
Lulzim Berishës, teksa gjykohej si drejtues i Bandës së Durrësit në Gjykatën për Krimet e Rënda, iu vendos në shqyrtim, pas kërkesave të Prokurorisë, edhe konfiskimi i pasurive të sekuestruara, nën dyshimin si të krijuara nga aktiviteti kriminal.
Asokohe, avokati i Berishës deklaroi se vendimi do të ankimohej. “Do të ankimojmë vendimin, pasi të ardhurat për blerjen e mjetit janë të ligjshme dhe të deklaruara”, – tha Hysi.