Këngëtarja Eneda Tarifa ka reaguar në lidhje me videon virale ku ajo shfaqej duke kënduar së bashku me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në një klub nate. E ftuar në emisionin “Pop Culture”, Eneda u shpreh se ishte diçka e këndshme dhe aspak e pazakontë.
Tarifa ka komentuar më tej edhe reagimet në rrjet, të cilat ishin fokusuar më së shumti tek kapja e dorës me ish-ministrin.“Për mua kjo nuk është asgjë se unë në skenë kap për dore këdo që vjen. E ftoj, e marr e trajtoj mirë sepse një klub nate mbi të gjitha do që publikun ta bësh për vete”, tha ajo. Eneda u shpreh në fund se ish-deputeti socialist ka të drejtë të gëzojë dhe të këndojë si çdo njeri tjetër, për ta përmbyllur me komentin se ai ka një vesh të mirë muzikor.
“Nuk e di çfarë kishte kaq shumë të për të komentuar në fakt, pasi ai si çdo njeri tjetër ka të drejtë që të argëtohet. Ka të drejtë të ketë jetën e vet dhe rastet e veta që të gëzojë. Në kuptimin personal e njoh aq sa për të thënë se ai ka vesh të mirë muzike. Nëse nuk do të ishte politikan, do të ishte një këngëtar shumë i mirë. Pasi ai bën zëra të dytë, të tretë dhe ka vokal shumë të mirë”, përfundoi ajo.
Rikujtojmë se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është në gjykim për akuzën e bashkëpunimit me grupin kriminal “Habilaj”.