Aktualitet

U shkarkua sot për Dritan Dajtin, çfarë thoshte Rama për Bardhyl Kaçorrin (VIDEO)





               Publikuar në : 16:32 - 14/01/20 |
mapo.al

Bardhyl Kaçorri, drejtori i policisë së Burgjeve i prezantuar me mjaft bujë nga kryeministri Edi Rama njën vit e gjysmë më parë, sot u shkarkua nga detyra. Shkak u bë “shëtitja” që policët e burgut të Peqinit i bënë Dritan Dajtit në ish-bllok, pasi i dënuari për vrasjen e katër policëve, do të kryente një vizitë mjekësore në një klinikë private në kryeqytet.


Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se për këtë arsye ka shkarkuar drejtuesit e burgut të Peqinit, por “furtunës” nuk i ka shpëtuar as drejtori i policisë së Burgjeve, Kaçorri, një prej njerëzve të preferuar nga kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe funksionar i degës së PS në Tiranë.



Bardhyl Kaçorri u emërua në krye të policisë së Burgjeve në tetor të vitit 2018, pasi nga kjo detyrë ishte larguar Enrik Sulejmani për arsye disiplinore lidhur me çështjen e Ervis Martinajt, ku nuk arriti ta shoqërojë këtë të fundit nga spitali privat drejt atij të burgut, pas përplasjes me armë zjarri në zonën e ish-bllokut.


Gjatë prezantimit të Kaçorrit, kryeministri Edi Rama do të shprehej me jo pak superlativa për të, se kishte gjetur një profesionist, një njeri të spikatur për të drejtuar një institucion aq të rëndësishëm. Por megjithatë, mes rreshtave Rama duket se e kishte paralajmëruan fatin e Kaçorrit, pavarësisht nga fjalët e zgjedhura përpara medias kur tha: “Uroj shumë që të mos përfundojmë ndonjë ditë në ndonjë kronikë ku dalin këto fjalë, pastaj drejtori na del që nuk është i duhuri, por secili varet nga koka, shpatullat dhe këmbët e veta, në fund të ditës”.

Ja si shprehej kryeministri për Bardhyl Kaçorrin në tetor 2018:
Në krye të Policisë së Burgjeve që nga dita e sotme do të jetë zoti Bardhyl Kaçorri me një karrierë të gjatë dhe të spikatur në radhët e policisë së Shtetit ku ka mbajtur dhe pozicione të larta drejtuese.

Është shumë e vështirë të kërkosh opinione për njerëz dhe të marrësh opinione shumë të ngjashme, ose të njëjta. Në rastin e drejtorit na ka ndodhur pikërisht kjo dhe për herë të parë, unë kam dëgjuar oficerë police që nuk shajnë njëri-tjetrin, që është një gjë shumë e veçantë, përkundrazi, fjalët thonë më të mira.

Uroj që kokëfortësinë që e karakterizon dhe që nuk ia kanë shkruar në CV, ta ketë të përditshmen, ashtu siç e tregon edhe fama që ka lënë punën e tij, duke qenë i respektuar nga të gjithë kolegët.

Për ta mbyllur do ju them, një shaka që është më shumë se gjysma e të vërtetës…

Është shumë e vështirë të kërkosh opinione për njerëzit dhe të marrësh të ngjashme, në rastin e drejtorit na ka ndodhur kjo, dhe për herë të parë kam dëgjuar oficerë policie që nuk shajnë njëri tjetrin, përkundrazi thonë fjalët më të mira.

Uroj shumë që të mos përfundojmë ndonjë ditë në ndonjë kronikë ku dalin këto fjalë, pastaj drejtori na del që nuk është i duhuri, por secili varet nga koka, shpatullat dhe këmbët e veta, në fund të ditës. Kështu që shumë suksese dhe sinqerisht që të gjithëve dhe me mend në kokë, se ka shumë rëndësi kjo, sidomos kur je nën uniformë.



Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas