Harqet nën peshën e mallit
U vesha me çastet e mungesës.
Më rrinte ngushtë,
frymën ma merrte.
E hoqa.
Vesha preludin e dashurisë.
Kujtimet i vura gjerdan
me fjalët e tua perla.
Hijeshuan qafën time.
Të kuq buzësh
vendosa përkëdheljet luleshtrydhe.
Ashtu e përgatitur,
po prisja ardhjen tënde.
Diçka më mungonte.
Parfumi.
Harrova se jam alergjike ndaj aromave.
Aromën e valëve të detit,
grimcat e rërës, vesën e mëngjesit
erërat e Egjeut, parfum i bëra.
Në eter u tretën…
Në kalldrëm të urës shenjë lanë.
Çastet hidhen në bregun e pritjes.
Harqet e urës harkohen nga pesha e mallit.
Eja i dashur
Eja i dashur,
të xhelozojmë yjet me lojën tonë.
Lëre të lirë pëllumbin të fluturojë
në kuqëlimin e zjarrtë të diellit,
të shkrihet nga zjarri,
të jetësohet si feniksi.
Eja i dashur,
shuaja etjen e trëndafilit,
të ndiejë në deje lëngun magjik të jetës,
të harliset, të lulëzojë
e të të dehë me aromat e parajsës.
Eja i dashur,
të gjejmë njëri-tjetrin
në gjëegjëzën e dashurisë.
Unë fshihem pas figurës,
ti pas tingullit.
Eja i dashur,
të hedhim në pentagram Simfoninë e Dashurisë sonë,
sa edhe Bet’hoveni e Shuberti të mbeten gojëhapur!
Eja i dashur,
të ngjitemi lart te yjet…
Vullkan le të bëhen lumenjtë tanë…
Buzë, jeta dhe vdekja
Të kujtohet i dashur
puthja jonë e parë?
Pikat e shiut ndezën zjarrin e buzëve.
Vezullimi i neoneve
fshinte padurimin e shijes së puthjes.
E lagësht buza,
e tultë si luleshtrydhe,
e nxehtë si shafrani.
Nën lëkurë, gjaku gati shpërthente.
Kërkonte binjaken e saj.
E lamë veten të lirë,
të na udhëzonin pikat e shiut.
Statuja përkarshi mbylli sytë,
që ne të ishim një.
Drithërimë e ëmbël.
Veriu e jugu
Lindja e perëndimi ishin aty,
në të mesmen e artë,
në zemrën e vullkanit.
Vrulli i murrlanit
u ngroh nga juga e bardhë.
Lindja e perëndimi sollën diellin dhe hënën.
Njëri në të majtë, tjetra në të djathtë.
Buzët tona rrufepritës,
ku gjunjëzohen erërat e Pandorës.
Buzë, jeta dhe vdekja…
Takimi ynë i parë
I bukur takimi ynë i parë.
Një pasdite gushti,
ti e unë u pamë.
Askush nuk e dinte si do ishim më pas,
se letër e laps, me vete nuk kishim,
ndonëse në dorë celularët lëviznim.
I bukur takimi ynë i parë.
Nën hijen e muzeut
ne kërkonim fjalën e artë.
Një muzikant e një poete,
vargjet me nota i hodhën në pentagram.
I bukur takimi ynë i parë.
Historitë e Egjeut e të Mesdheut,
një nga një i treguam me radhë.
Hëna nxori kokën për të na parë.
Kuptuam se koha për ne nuk ndal.
Në vite në vazhdim,
shumë herë kemi shkuar te takimi ynë i parë,
pa letër, pa laps, pa celular,
vetëm me zemër të bardhë.
Jemi përqafuar e njëri-tjetrit,
dashuri të zjarrtë i kemi dhuruar.
Unë jam hajdutja jote
Nuk mund të rri ulur në cep të rrugës
të pres me sytë nga qielli.
Por mund të rri tërë jetën
duke pritur buzëqeshjen tënde.
Mund ta pres mëngjesin
ulur këmbëkryq me zgjimin,
pasi ta kem dehur gjumin
me ëndrra të papara,
vetëm që ti të vish çdo mëngjes
me rrezen e agimit,
me stolisjen e gëzimit në sy,
me zjarrin e puthjes.
Nuk mund të iki larg teje.
Thesar i fshehur në shpirt më je.
Si pirat i Karaibeve sillem
erërave të deteve,
të të ruaj nga hajnet.
Dua t’i vjedh kohës ditët e munguara,
që në regjistrin e dashurisë morën mungesa.
Nuk ka rëndësi në ishin të arsyeshme apo të paarsyeshme.
Unë e ti, larg ditëve tona
humbëm veten në mbrojtje të absurdit.
Absurdi lidhi miqësi me kotësinë.
Absurd, kotësi, idiotizëm, gënjeshtra,
këta janë hajdutët që na vodhën ditët.
Na vodhën dikur…
Iku e djeshmja.
A ikën vallë hajdutët?
Ndërruan veshjet si ujku me lëkurën e deles.
Hajduti asnjëherë nuk duhet të rrijë i qetë.
Hajdutët ia dinë hilet njëri-tjetrit.
Unë jam hajdute.
Dua të vjedh prej teje dhimbjen.
Të jem qetësi për ty.
Dua të të vjedh lodhjen.
Të jem kënaqësi për ty.
Do të të vjedh brengën,
në shkëmb të Skithisë ta hedh,
që të mos të të gërryejë
si krimbi drurin.
Në vend të saj do mbjell jaseminë,
të harliset në trupin tënd,
të të zbukurojë me bardhësinë dehëse të lulimit.
Do të vjedh pasiguritë e emigrimit.
Kush është pirat e di egërsinë e detit.
Si do të sillej pirati në detin e emigrimit?
Do të ikte me vrap në det tjetër.
Këmbët deti do t’ia lagte.
Detit ia ke lagur këmbët me ekzistencën tënde,
me jetën tënde,
me muzikën tënde,
miqësuar me Orfeun.
Dua të të vjell prej këtej,
të ndërtojmë folenë në pemë,
midis gjethnajës,
në lulim,
me këngë zogjsh.
Duke pritur e përcjellë tingujt e qiejve.
Bashkë me to do dirigjosh simfoninë tonë të dashurisë.
Deri atëherë…
Unë jam hajdutja jote,
që mëngjesi e mbrëmja të jenë vetëm buzëqeshje.
Thesar i shenjtë i shpirtit tim.
Pritje e gaztë
Prita me gaz ardhjen tënde.
Jehonat nga thellësitë e zemrës
gëlonin nga pesha e mallit.
Era fishkëllente himnin tonë,
duke të numëruar hapat,
si një dirigjent fisnik.
Dielli, rrezet e tij,
pentagram i bëri
e kanarinat këngës ia morën,
duke na kujtuar mëngjeset e mbrëmjet tona,
të thjeshta, të ngrohta,
me lodra dashurie e fjalë kënaqësie.
Pritja mori krahët e ëndrrës,
drejt teje u nis.
Fanar në natën pa hënë u bë.
Syve të tu dritë t’u jepte,
të shihte përtej kohës…
Të puth sytë e shkruar
që në çdo hapjembyllje agimin sjell.
Feniks, dashuria jonë
Yjet le të digjen për dashurinë tonë…
Ne le të ndizemi për rrahjet e zemrave
Zemrat le të shkrumbohen për bukurinë e ëndrrave…
Ëndrrat le të përcëllohen për gjakun në deje.
Gjaku në deje le të shuajë zjarrin e dashurisë…
Feniksi të firmosë lumturinë tonë…
Pranverën në shpirt do ta ul
Sa i largët përqafimi yt!
Sa e gjatë rruga për të ardhur te ty,
me një puthje në sytë e ty të qelqtë.
Sa e frikshme heshtja jote!
Sa e ëmbël fjala jote,
mjaltë për pijen e shpirtit të trazuar.
Ti luan tani, e gishtat lëvizin mbi tela.
Luan e largon retë e shiut.
Luan se do të gjesh hapësirë aty ku lind tingulli,
në zemër.
Jam xheloze për përkëdheljen e telave.
Dua t’i këpus e ta lidh zemrën
që nuk duron as një minutë pa të parë,
pa ta ndier erën.
Dashuri e çmendur është dashuria ime.
Nuk di si ta ndaloj, ta zbeh, ta largoj,
ta gris si një foto të vjetër,
ta djeg në zjarrin e Feniksit.
Më vjen të të rrok me krahë
e të qesh sërish me gjëegjëzat tona.
Të dalë ku të dalë…
Do ta heq inatin e prillit,
pranverën në shpirt do ta ul.
Le të dehemi me aromën e shpirtrave tanë…
Të dua deri në çmenduri.