Artan Kroj, 37 vjeç dhe Gentian Elezi, 29 vjeç, banues në Tiranë, u arrestuan nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Durrës, ndërsa është shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e kolegut të tyre, shtetasin P.H., 43 vjeç. Policia e Durrësit bëri publik arrestimin e tyre paraditen e djeshme, ndërkohë që mbrëmjen e së martës, Partia Demokratike akuzoi Policinë se po fshihte ngjarjen.
Artan Kroj, kryetari i PS-së në njësinë Nr. 3 në Tiranë, drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, mik i deputetes Klotilda Bushka, është arrestuar për korrupsion dhe gjobëvënie ndaj bizneseve, por ngjarja po fshihet me urdhër politik. Artan Kroj nuk duhet të ishte fare në administratë, sepse ai rezulton i dënuar me 7 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge në Greqi në vitin 2004 me emrin Marjels Kroj”, thuhej në reagimin e PD-së.
Një ditë më pas (dje), Policia e Durrësit njoftoi arrestimin e tyre dhe bëri të ditur rezultatet e aksionit që vinte pas një hetimi disamujor. “Nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi proaktiv 3-mujor për veprat penale ‘Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, ‘Korrupsion aktiv i personave që ushtojnë funksione publike’ dhe ‘Shpërdorim të detyrës’, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Gentian Elezi, 29 vjeç, Artan Kroj 37 vjeç. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit P.H., 43 vjeç”, bëri të ditur Policia.
Sipas të dhënave të Policisë, inspektorët tatimorë, në bashkëpunim me njëritjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kërkonin dhe u merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 2 milionë lekë të vjetër për çdo rast. Pas denoncimit të një biznesi, nisi një hetim proaktiv që zgjati rreth tre muaj, duke konkluduar me arrestimin e inspektorëve dhe duke siguruar prova që vërtetojnë shpërdorimin e detyrës nga ana e tyre, pasi rezulton se gjobisnin bizneset gjatë kohës që kryenin inspektimin e tyre. Ndërkohë, Policia vijon punën për arrestimin e inspektorit të tretë.
PANORAMA