Ende pa u shuar jehona e vrasjes së Bledar Birçaj në 11 Maj 2021 në Vlorë, një javë më pas po në të njëjtin qytet ekzekutohet një tjetër i ri, që sapo ishte kthyer nga Spanja.
Viktima Delon Troqe i sapo kthyer nga Spanja, është qëlluar me 15 plumba automatiku në derë të servisit të tij, që ndodhet prapa pallatit të sportit “Flamurtari”.
Vrasja ndodhi mbrëmjen e 21 majit 2021 rreth orës 21:50, në lagjen “Pavarësia” të Vlorës.
Kjo është vrasja e dytë brenda një kohe kaq të shkurtër në qytetin e Vlorës, ku të dy viktimat kishin pak kohë që ishin kthyer nga Spanja.
Kushëri me Ervis Troqen
Delon Troqe, i cili u vra mbrëmjen e sotme, është kushëriri i Ervis Troqes, i zhdukur tre vite më parë, në verën e vitit 2018 në Vlorë. Ervis Troqe, 26-vjeç nga qyteti i Vlorës, rezulton ende i zhdukur, që prej datës 19 korrik të vitit 2018. Në atë kohë Ervis Troqe, sapo ishte kthyer nga Belgjika së bashku me Albano Xhaferrin, edhe ky i zhdukur në atë vit. Siç rrëfyen familjarët ai u largua me një automjet tip “Mercedes-Benz” dhe prej atij momenti fati i tij nuk dihet.
Dy atentatorë
Troqe kishte vetëm 3 javë që ishte kthyer nga Spanja. Mbrëmjen e 21 majit, i riu mbeti i vrarë pasi u qëllua nga dy armë të ndryshme nga dy persona, teksa ishte duke dalë nga servisi i tij, që e ka poshtë shtëpisë ku banonte.
Kush ishte Delon Troqe
Troqe, ishte duke punuar në servisin e tij të cilin e kishte hapur qysh prej vitin 2015, por këtë aktivitet e mbyllte herë pas here, për shkak të udhëtimit të tij në Spanjë.
Delon Troqe, gjatë pushimeve verore kryente transportimin e turistëve me një skaf privat, nga Vlora në Gadishullin e Karaburunit dhe në ishullin e Sazanit.
Troqe, njihet nga policia e Vlorës si person me precedentë penale, për shkak se ishte arrestuar në vitin 2015, duke qëndruar 155 ditë në burg, ditë për të cilat më pas ka marë dëmshpërblim nga gjykata pasi është shpallur i pafajshëm.
Burime pranë policisë së Vlorës thonë se Troqe kohët e fundit ishte zhvendosur në Spanjë, ku dyshohet se merrej me kultivimin e kanabisit dhe shitjen e drogës në këtë shtet.
Makina e djegur
Pas vrasjes, grupi i hetimit ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje, me shpresën e kapjes së autorëve të krimit. Ndërkohë gjatë krehjes së zonës, në fshatin “Sherishtë”, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.
Brenda saj janë gjendur dhe dy automatikë që dyshohet se janë përdorur në këtë vrasje. Policia informon se janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.
Njoftimi i policise
Rreth orës 21:50, në lagjen “Pavarsia”, Vlorë, në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit/ve.
Gjatë krehjes së zonës, në fshatin “Sherishtë”, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.
Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.
Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.