Kronika

U vrau nënën gjyqtare, Fadil Kasemi: Nuk dua të më falin fëmijët, por…





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:35 - 18/01/19 |
mapo.al

Fadil Kasemi, vrasësi i ish-bashkëshortes së tij gjyqtare, Fildes Hafizi, është dënuar këtë të enjte nga Gjykata e Krimeve të Rënda me dënim të përjetshëm.


Ndonëse avokati Ilia Ilia ka kërkuar lehtësimin e masës së dënimit, duke kërkuar nga gjykata një dënim me 25 vite burg, Fadil Kasemi duket se do të kryejë një burgim të përjetshëm për krimin e ndodhur më 31 gusht të 2017-ës.



Vetë ai është shprehur gjatë seancës gjyqësore se është penduar për krimin, ndërkohë që, ka kërkuar të merren parasysh edhe motivet që e kanë shtyrë atë drejt vrasjes së ish-bashkëshortes, si ndalimi për të takuar fëmijët, tradhtia bashkëshortore dhe investimet e bëra karshi saj.


Në fund të seancës dha pretendimet e tij edhe Fadil Kasemi, i cili u shpreh se ishte i penduar për krimin dhe se në kushte të tjera nuk do ta bënte. Ai pati edhe një kërkesë për fëmijët e tij, ndërsa iu drejtua me ndjesë të thellë. “Nuk dua të më falin për këtë që kam bërë, por dua që fëmijët të pranojnë të investoj tek ata nëpërmjet hallave dhe të afërmve”, tha Kasemi.

Rreth një muaj më parë, Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar nga Gjykata shpalljen fajtor të Fadil Kasemit me një dënim të vetëm, burgim i përjetshëm. Konkretisht, prokurori Dritan Prençi kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 7 vite burg për “Armëmbajtje pa leje”, shpalljen fajtor dhe dënimin me 13 vite për akuzën e rrëmbimit dhe shpalljen fajtor dhe dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes.

Referuar Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në datë 31 gusht të vitit të vitit 2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë. Në kohën që Fildeze Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohësisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga një parukeri dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë, është afruar ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi, me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildeze Hafizi, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas, shtetasi Fadil Kasemi me pistoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës “Bardhyl”, automjetit furgon “Benz Mercedez”, që drejtohej nga shtetasi me inicialet K.T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes, duke hipur brenda në automjet.

Gjatë udhëtimit, shtetasi K.T. ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit, shtetasi K.T. e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë, ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e Policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të tij.


Etiketa: , , , ,

Pas