Blog

Udhëheqësit shqiptarë si “troll-ë” virtualë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:32 - 22/10/20 |
Arsen Hoxha

Ka lindur një debat në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë sa i takon ndërhyrjes së udhëheqësve shqiptar në zgjedhjet e Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Është në fakt një problem i izoluar, por gjykoj se është më mirë të flasim për të në këtë fazë, sesa të gjendemi përpara situatës ku kjo qasje kthehet në një model që ndiqet rëndom. Jo se do të kishte ndonjë ndikim në zgjedhjet e Amerikës së madhe, por sepse është e rëndësishme në raportin mes nesh si popull, për të kuptuar se është e gabuar të fusësh hundët në punët e tjetrit.


Besoj te gjithë biem dakort se rasti me flagrant i përfshirjes së një udhëheqësi shqiptar në punët e brendshme të një vendi tjetër (për më tepër aleat strategjik), është ai i kryeministrit Edi Rama në vitin 2016, kur u shfaq në CNN International duke e quajtur kandidatin për President të asaj kohe Donald Trump, si “turpin e qytetërimit”. Pak ditë më parë, ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në pozitat e udhëheqësit të një grupimi politik (gjysma e së keqes) vendosi ta përfshijë veten në të njëjtën valle.


“Një Shtëpi e Bardhë e Biden-it do të sjellë kthimin e udhëheqjes amerikane, e cila është shumë e nevojshme në botën e rrezikshme me të cilën perballemi sot”, thotë Albin Kurti. Pra, ai merr përsipër t’i japë leksione demokracie dhe udhëheqësie vendit më demokratik dhe më të zhvilluar në botë, a thua se amerikanët (përfshirë këtu edhe shqiptaro-amerikanët) nuk janë në gjendje të gjykojnë se çfarë është e mirë apo e keqe për ata vetë.



Një politikan i një vendi që i detyrohet gjithçka SHBA-së—edhe vetë ekzistencën si shtet—e fut veten në një telash të tillë, që në një moment të caktuar mund t’i sjellë pasoja të parikuperueshme atij vetë politikisht por edhe vendit që përfaqëson. Për me tepër Albin Kurti, që ka provuar se gëzon një mbështetje të madhe popullore dhe që me shumë gjasë do të jetë sërisht në krye të qeverisë së Kosovës. Por, a është rasti i Edi Ramës dhe Albin Kurtit unik në skenën botërore?! Natyrisht që jo! Rastet e ndërhyrjeve të jashtme (në të gjitha format) janë të panumërta, por i bashkon një element thelbësor që lidhet me emrat e individëve të përfshirë.


Në gusht të vitit 2017, Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, në një zhvillim të papreçedentë, kërkoi që të gjithë “bashkatdhetarët” e tij në Gjermani të votonin kundër CDU/CSU-së, SPD-së dhe Partisë së Gjelbër në zgjedhjet federale gjermane. Erdogan i quajti këto parti, si dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, “armiq të Turqisë”. Merkel i dënoi këto deklarata dhe u përgjigj se të gjithë gjermanët kishin të drejtë të votonin lirisht pa ndërhyrje të huaj në proçesin zgjedhor. Ministri i jashtëm gjerman i kohës Sigmar Gabriel pohoi në atë kohë se deklaratat e Erdoganit ishin një “veprim i pashembullt i ndërhyrjes në sovranitetin e Gjermanisë”.


Në vitin 2007 gazeta franceze “Mediapart”, raportonte se fushata presidenciale e Nicolas Sarkozy kishte marrë 50 milion Euro në donacione nga lideri libian, koloneli Muammar Gaddafi. Shuma në fjalë e tejkalonte disa herë limitin ligjor (22 milionë euro) për pranimit e donacioneve individuale në fushatë zgjedhore. Pas fitores së Sarkozy, Gaddafi shkoi për një vizitë shtetërore 5-ditore në Francë, gjatë së cilës qeveria libiane bleu pajisje ushtarake, përfshirë 14 avionë luftarakë Rafale.

Ziad Takieddine, një biznesmen francez-libanez me lidhje të ngushta me Libinë, pranoi për Mediapart se ai kishte bërë tre udhëtime nga Tripoli në Francë për të dorëzuar valixhet e mbushura me kartëmonedha 200 dhe 500 Euroshe tek Sarkozy. Pas zgjedhjeve, Gaddafi vizitoi Parisin zyrtar. Në Mars të vitit 2018, Sarkozy u mbajt në paraburgim për këto akuza. Ai u mor në pyetje për 25 orë nga policia, gjatë së cilës ai mohoi çdo shkelje, para se të lirohej nën mbikëqyrje të veçantë gjyqësore.

Në vitin 2017, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë, rreth 20,000 emaile të fushatës elektorale të Emmanuel Macron-it, u bënë publike në hapsirën online. Rrjedhjet tërhoqën një vëmendje të madhe të medias për shkak të shpejtësisë më të cilin “lajmi mori dhenë”, duke u shpërndarë kudo në internet. Të dhënat sugjeronin se prapa një operacioni të tillë ishte qeveria e Rusisë dhe Presidenti Vladimir Putin. Emailet u shpërndanë nga WikiLeaks dhe disa aktivistë amerikanë të grupimeve ultra të djathta përmes faqeve të tyre në rrjetet sociale si Twitter, Facebook dhe 4chan.

Lexo edhe :  U mbars mali e polli një draft

Të gjithë të sipërpërmendurit kanë një gjë të përbashkët. Ata janë ose diktatorë, ose përfaqësues të vendeve me demokraci të pazhvilluar dhe me një rekord të tmerrshëm të respektimit të të drejtave dhe lirive të individit. Se çfare i shtyn udhëheqësit shqiptar ta përfshijnë veten në të njëjtën kategori, vetëm ata e dijnë?!

Shqipëria dhe Kosova janë vende të vogla dhe me sfida të mëdha. Si të tilla nuk e kanë lluksin e animit nga njëri apo tjetri kandidat. Jo thjesht se zëri i tyre i vogël peshon aspak ne Amerikën e madhe, por sepse ka disa rregulla të pashkruara që një udhëheqës modern dhe i llogjikshem, i merr parasysh përpara se të leshojë deklarata në favor të njerës apo tjetrës palë.

Në rastin më të mirë një qasje e tillë është shprehje e një foshnjërie politike; në rastin më të keq shërbim i kërkuar nga aktorë të tjerë. Mendoni për një çast që Angela Merkel, Emmanuel Macron apo udhëheqës të tjerë të Bashkimit Europian të dilnin e të mbështesnin Joe Biden-in në zgjedhjet amerikane, për shkak të qasjes së administratës Trump në politikën e jashtme dhe raporteve shpesh kritike me Europën.

Në rastin e Edi Ramës, është e qartë që ai ka një tendencë për t’u shfaqur si një udhëheqës që ka zë në politikën e madhe ndërkombëtare. Deri këtu nuk ka asnjë problem, edhe pse dikush mund ta konsideronte si një delir të pajustifikuar. Por ka plot mënyra për t’u shfaqur i madh, edhe pse i vogël, në arenën ndërkombëtare. Shembujt janë aty. Kryeministrja e Zelandës së re—më një popullatë prej 4.8 milionë banorësh—Jacinda Ardern u rikonfirmua në detyrë në zgjedhjet e fundit, ndër të tjera, edhe për përballimin me sukses të pandemisë botërore. Ajo i imponohet botës së qytetëruar me modelin e suksesit.

Të vetmit që ndërhyjne sot në proçeset zgjedhore anembanë botës janë “troll-ët” (term i përdorur për individë të paidentifikuar, që qëllimisht përdorin gjuhë urrejtjeje në internet) rusë, iranianë apo kinezë nëpërmjet fushatave të tyre disinformuese në platformat virtuale. Rusia dhe Irani arritën këtë javë të rrëmbenin të dhëna private të votuesve amerikanë, duke i përdorur ato në shërbim të fushatës së tyre të disinformimit, krijimit të kaosit dhe përpjekjeve për të ndryshuar preferencat e votuesve.

Shërbimet inteligjente amerikane prej kohësh kanë informuar publikun se këto vende (Rusia, Kina, Irani e të tjerë) shënjestrojnë kandidatët e tyre të preferuar në zgjedhje dhe veprojnë në mënyrë agresive për t’i shpallur ata fitues. Atë që këta aktorë globalë e bëjnë fshehurazi, udhëheqësit shqiptar gjejnë guximin ta bëjnë haptazi.

Ne shqiptarët i detyrohemi shumë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo një presidenti të veçantë. Amerika i mbështet shqiptarët jo thjesht për shkak të interesave të veta strategjike në rajonin e ballkanit, por edhe sepse ndajmë të njëjtin vizion sa i takon vlerave demokratike që duhet të udhëheqin sot rendin botëror. Ata gjejnë tek ne një aleat besnik, një fenomen i rrallë ky në epokën që jetojmë.

Dufin, për atë çka ndodhi me qeverine e tij, Albin Kurti duhet ta shfryjë në drejtim të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafes, dhe jo drejt Uashingtonit. Nëse Kosova ka udhëheqës pa shtyllë kurrizore, ky nuk është faji i Richard Grenell-it. Shpeshherë problemi asht mes vedit.

 

 


Etiketa: , ,

Pas