Bino: Ne presim që të qarkullojnë viruset A (AH1N1) dhe viruset B (AH3N2). Nga java e parë e nëntorit në vendin tonë vijnë 80 mijë doza vaksinash kundër gripit
Doktoreshë Silva Bino, shefe e Departamentit Infektiv në Institutin e Shëndetit publik sqaron skemën e vaksinimit kundër gripit për këtë vit. Duke filluar nga java e parë e nëntorit në vendin tonë vijnë 80 mijë doza vaksinash kundër gripit, në të cilin të parët që do të vaksinohen falas janë grupet në risk, duke nisur që nga fëmijët 0-5 vjeç, te të moshuarit, gratë shtatzëna. Për herë të parë sivjet në kalendarin e vaksinimit përfshihen edhe edukatorët e çerdheve dhe kopshteve si dhe mësuesit. Pohohet se deri tani sezoni i gripit nuk ka filluar akoma, situatë e qetë paraqitet edhe në Rajon, por bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik ka filluar të promovojë nisjen e vaksinimit në popullatë muajin e ardhshëm.
Doktoreshë Bino e pohon edhe vetë që sivjet është viti i dytë që vaksinimi kundër gripit nis me vonesë, por kjo ka ardhur si pasojë e udhëzimeve të OBSH-së, lidhur me përcaktimin e viruseve që priten të qarkullojnë në vendin tonë, në mënyrë që shtamet të përfshihen në vaksinën kundër gripit. Për këtë ajo qetëson popullatën, duke deklaruar se në vaksinën kundër gripit janë përfshirë shtamet e viruseve A dhe B, të pritshme që mund të qarkullojnë në vendin tonë.
Ka nisur qarkullimi i gripit në vendin tonë dhe cilat janë viruset që priten të qarkullojnë?
Pasi sezoni i gripit nuk ka filluar akoma. Në bazë të të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik ne nuk kemi regjistruar raste me grip por ka një qarkullim të virozave respiratorë, rrufës, që shpesh njerëzit e ngatërrojnë me gripin, por kemi thjesht qarkullim të rrufës në vend. Pra, nuk kemi forma të rënda, nuk kemi qarkullim të gripit aktualisht. Por, gjithashtu, edhe në rajonin europian qarkullimi i gripit është tepër, tepër i ulët. Deri tani në rajonin europian, qarkullojnë edhe viruset A dhe virusi B; pra kemi një qarkullim miks. Por nuk mund të bëjmë parashikime mbi predominimin e virusit sepse jemi tepër herët dhe gripi është një sëmundje shumë e paparashikueshme. Natyrisht, ne presim që të qarkullojnë këto viruse të cilat janë të përfshirë në vaksinën e gripit.
Si paraqitet situata e gripit në Rajon?
Aktualisht nuk kemi të dhëna nga vendet fqinje, por ka të dhëna nga Italia të rasteve me grip, natyrisht shumë të rralla, por kemi të dhëna. Sepse ne jemi një pjesë e survejancës europiane të gripit dhe natyrisht informohemi për çdo javë se çfarë ndodh në të gjitha vendet e Europës, përfshirë edhe vendet e rajonit siç është Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Greqia.
Kur nis vaksinimi i popullatës?
Vaksinimi i popullatës do të nisë javën e parë të nëntorit, pikërisht në atë moment vjen edhe vaksina ndaj gripit e cila jepet falas për të gjitha grupet e riskut dhe punonjësit shëndetësor. Natyrisht ne këtë vit po promovojmë edhe vaksinimin e fëmijëve dhe të mësuesve të shkollave dhe të edukatoreve të çerdheve dhe kopshteve sepse edhe ata janë një kontingjent shumë i rëndësishëm pasi kujdesen për fëmijët.
Sa i rrezikshëm është gripi doktoresha?
Gripi është një sëmundje e rrezikshme. Gripi është një sëmundje që shfaqet çdo vit dhe ka tre forma të ndryshme; formën e lehtë, formën e mesme dhe formën e rëndë e cila mund të shkaktojë edhe vdekjen. Format e rënda vihen re kryesisht tek personat që kanë sëmundje bashkëshoqëruese sidomos diabet, astmë, sëmundje obstruktive të mushkërive, sëmundje kardiovaskulare, obezët, sëmundjet kronike të mëlçisë dhe veshkave, gratë shtatzëna. Gratë shtatzëna janë një subjekt që mund të bëjnë forma të rënda të gripit dhe natyrisht edhe vdekje.
I përfshin vaksina shtamet e viruseve që priten të jenë në qarkullim?
Natyrisht ne kemi një parashikim në lidhje me viruset e gripit, janë ato viruse të cilat janë pjesë e vaksinës. Prandaj edhe sivjet vaksinimi u vonua sepse rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë u dhanë një muaj më pas në vend që të jepeshin në shkurt të këtij viti u dhanë në fund të marsit dhe ne presim që të qarkullojnë viruset A (AH1N1) dhe viruset B (AH3N2) me shtamet me karakteristika përkatëse të shtameve për këtë vit. Pasi vaksina e vitit që shkoi ka disa ndryshime të vogla por që janë thelbësore në lidhje me mbrojtjen ndaj gripit.
OBSH: Kujdes! Mos përdorni antibiotikë kundër gripit
Raul Gonzales Montero, drejtues i Organizatës Botërore në Shqipëri bën thirrje mjekëve që të mos përdorin antibiotikë për trajtimin virusit të gripit, fenomen i cili duket se nuk është vetëm shqiptar. “Gripi është një sëmundje virale, dhe këto sëmundje kanë trajtime të ndryshme, ndërsa antibiotikët përdoren për simptoma të tjera. Mjekët në të tilla raste nuk duhet të japin antibiotikë, por ndodh që qytetarët të shkojnë vet në farmaci dhe të marrin vetë antibiotik pa rekomandimin e mjekut. Ky nuk është vetëm fenomen shqiptar, pasi ndodh në të gjithë botën”, -tha Montero, drejtor i OBSH. Sakaq, drejtues të Institutit të Shëndetit Publik dhe ekspertë të Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP kërkojnë bashkëpunimin e popullatës dhe bluzave të bardha për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e përhapjes së virusit të gripit në popullatë.