Kryesore

Udhëzimi/ PD hap fushatën: Futu në garë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:59 - 26/06/20 |
mapo.al

Një dokument i detajuar për procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, i miratuar dje në kryesinë e PD, duket se ka çelur fushatën zgjedhore, së pari, brenda demokratëve. Anëtarësia do të ketë rol vendimtar në përcaktimin e emrave për në Kuvend dhe Bashki. Thelbi i udhëzimit qëndron te shanset dhe meritat. Gara brenda PD pritet të jetë e fortë në dy muajt e Verës


Partia Demokratike, ka miratuar dje udhëzimin me të cilin do të përzgjidhen kandidatët për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në 12 qarqe por edhe ata për kryetarë të pushtetit lokal në 61 bashki të vendit. Në fakt më shumë se një udhëzim, është një procedurë e cila tenton të fusë një frymë të re jo vetëm në Partinë Demokratike, por edhe në politikën shqiptare në tërësi. Nuk do ketë më të favorizuar, qofshin këta ish-deputetë, kryetarë bashkish apo kryetarë degësh. Udhëzimi përcakton katër faza përzgjedhjesh, dy herë nga baza, një nga Komisioni i Vlerësimit dhe e fundit votimi në Kryesi dhe në Këshillin Kombëtar. Përkrahja që ka marrë secili kandidat në bazë do të përcaktojë dhe numrin në listën rendore me të cilën PD do paraqitet në zgjedhjet e përgjithshme.


Faza e parë
Faza e parë është ajo e propozimit të emrave nga grup-seksionet që plotësojnë dhe disa kushte, siç janë arsimi, pastërtia e figurës etj. Emri mund të jetë anëtar i PD-së, ose dhe simpatizant i saj. Në rast se në këtë fazë kërkon të hyjë dhe kryetari i degës përkatëse apo i grup-seksionit, udhëzimi përcakton se më parë ai duhet të japë dorëheqjen, duke e paraqitur atë te sekretari i Përgjithshëm. Kjo metodë shmang ndikimin e kryetarëve te pjesa tjetër e anëtarësisë. Kjo fazë e cila do të zhvillohet nga data 25 qershor deri më 25 korrik, ka si qëllim identifikimin dhe propozimin e emrave të kandidatëve.


Secili anëtar ka të drejtën e propozimit dhe arsyetimit të emrit që ai ka identifikuar për kandidaturë në zgjedhjet e ardhshme. Degët duhet të mbajnë parasysh që në listën e emrave që hartohet duhet të respektohet 30% i emrave femra siç e përcakton ligji. Emrat e përzgjedhur më pas do i duhet t’i dorëzojnë pranë anëtarit të Grupit Qendror të Koordinimit e vetëdeklarimit ku fillimisht janë kriteret bazë, si: arsimi, anëtarësimi ose jo në PD, gjenealitetet, gjendja familjare. Një pikë tjetër e parashikuar në udhëzim është dhe vetëkandimi, por me kusht që të mbështetet nga dhjetë firma anëtarësh.


Vlerësimi
Faza e dytë është ajo e seleksionimit e cila kryhet nga Komisioni i Vlerësimit të Figurës së Kandidatit, në bashkëpunim me Komisionin e Integritetit dhe Etikës, i sanksionuar në statutin e partisë ku në krye të tij është mjeku Halim Kosova. Pas vlerësimit kandidati njoftohet për fazën e dytë, e cila është dorëzimi i formularit të vetëdeklarimit, sipas miratimit të bërë nga komisioni i integritetit dhe etikës. Në të përfshihen që nga marrëdhëniet me regjimin e kaluar, ndjekja penale, rrethi familjar dhe ai shoqëror, pasuria, shkeljet administrative në rast se ka pasur, kohën ku është evidentuar kjo shkelje, postet që ka mbajtur në administratë etj. Pas verifikimeve komisioni i vlerësimit, bën listën përfundimtare të kandidatëve të mundshëm të ndarë në çdo degë apo qark.

Seleksionimi dhe votimi
Faza e tretë është ajo e konsultimit, sërish me bazën. Emrat votohen nga anëtarësia, dhe çdo anëtar ka të drejtën e kontestimit të një apo më shumë emrave në listën që i paraqitet. Në rast se një kandidat merr më shumë se 20% të votave kundër atëherë ai humbet të drejtën për të vazhduar garën. Numri i lejuar i kandidatëve që mund të kontestohen përcaktohet në çdo listë por s’duhet të kalojë shumën 20% të totalit. Pra, në rast se për një qark kemi 10 kandidatë, atëherë emra që mund të kontestohen janë vetëm dy, që secili anëtar i zgjedh sipas mendimit të tij.

Pas kësaj, Komisioni Zgjedhori i dorëzon Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave listën përfundimtare, së bashku me raportin final të vlerësimit të secilit prej tyre. Në fazën e katërt, është kryesia e PD ajo që përzgjedh kandidatët nga lista e miratuar nga anëtarësia. Vetë kryesia i jep të drejtën vetes që në përzgjedhjen e saj të ketë 20% të kandidaturave, të cilët vijnë nga shoqëria civile, akademikët, shtresa e të persekutuarve dhe pronarëve. Më tej lista përfundimtare pas diskutimeve dhe plotësimit final, i kalon për miratim në bllok Këshillit Kombëtar të PD, i cili është dhe hallka e fundit e përzgjedhjes. Kësaj përzgjedhje në të gjitha fazat nuk i nënshtrohen Kryetari i Partisë, Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët dhe kryeministrat e PD-së.

Risia
Pra, duket se kemi të bëjmë me një garë që evidenton vlerat e gjithsecilit, ku askujt nuk i hiqet e drejta për të konkurruar apo bërë karrierë në PD, qofshin këta të larguar, qejfmbetur apo të afruar së fundmi. Mjaft të plotësojnë kriteret e përcaktuara në udhëzim por shumë prej tyre dhe në statutin e partisë. Është një garë që vendos në pozitë të barabartë si kryetarin e degës së PD-së, ashtu dhe anëtarin më të thjeshtë. Jo në pak raste, mungesa e emrit të kryetarit të partisë në listat e kandidatëve për deputet apo për kryetarë bashkish, ka bërë që të mungojë angazhimi i tyre në zgjedhje.

Por, kjo mënyrë duket se i jep fund dhe “sundimit” të të përjetshmëve. Atyre që kërkojnë vende të sigurta në lista. Me këtë mënyrë përzgjedhjeje, vetëm në rast se ka përkrahjen e bazës mund të jetë pjesë e legjislativit të ardhshëm, në të kundërt i duhet të punojë fort me bazën një katërvjeçar që të mund të bëhet pjesë e listave në zgjedhjet që vijnë.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas