UEFA nuk ia ka akorduar ekipit të Tiranës, shumën prej 215 mijë eurosh, që përfiton çdo klub për pjesëmarrjen në turin e parë eliminator të Europa Ligës. UEFA ka marrë këtë vendim, pasi klubi kishte parregullsi në licensimin për të marrë pjesë në Kupat e Europës, siç thuhet në Rregullat e Licensimit dhe Fair Play financiar nga UEFA.
Përveç Tiranës, një dënim të tillë e kanë marrë edhe Vojvodina e Serbisë dhe Irtish nga Kazakistani, ndërsa Sioni është përjashtuar nga marrja pjesë sezonin tjetër në Europë, raporton Panorama sport.
Siç argumentohet në vendimin e UEFA-s, Tirana ka dështuar të përmbushë kërkesat e UEFA-s për dokumentacionin, dhe ka marrë licensën nga FSHF, jo në lidhje me Rregullat e Licensimit dhe Fair Playt Financiar, të vendosura nga institucioni qeverisës i futbollit europian. Përveç mos marrjes së 215 mijë eurove, Tirana gjobitet edhe me 3 mijë euro gjobë, për këto procedura. Kosto e këtyre procedurave duhet të paguhet në bankë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të apelohet në CAS brenda 10 ditëve që merret në dorëzim raporti.