Jean Monnet njihet si më pragmatiku mes etërve themelues të Bashkimit Europian dhe programet që mbajnë sot emrin e tij, zënë një vend të veçantë në BE. Kështu do të pohonte ambasadorja e përfaqësisë së BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, ndërsa Universiteti Europian i Tiranës prezantoi dy projekte Jean Monnet.
“Është nder, madje edhe për universitetet europiane të kenë projekte si Jean Monnet Centre of Excellence. Jo të gjithë marrin dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar”, tha zonja Hohmann.
Veç Jean Monnet Centre of Excellence, UET ka fituar edhe projektin “Jean Monnet Chair: EU Financial and Insurance Markets Regulation”.
Hohmann theksoi se në këtë fazë të integrimit drejt BE-së, në të cilën ndodhet Shqipëria, pas çeljes së negociatave në muajin korrik, nevojiten njerëz me njohuri për të kuptuar unionin, politikat europiane dhe jo vetëm ato financiare, por mekanizmat politikë dhe një kuptim më i thellë sesi funksionon organizimi i Bashkimit Europian.
Ajo u ndal te një prej premtimeve të liderëve të BE-së, gjatë Samitit të Tiranës në fillim të dhjetorit për t’i përfshirë universitetet shqiptare në Aleancën për Arsimin e Lartë në Europë. Kjo, shtoi ambasadorja ishte një zotim për t’i përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, përpara se ata të bëhen anëtarë. Dhe kjo, tha Hohmann arrihet përmes arsimit. Ambasadorja renditi një sërë programesh, ku universitetet shqiptare tashmë janë të përfshira si Erasmus, European Solidarity Corps, European Universities Initiative.
Ajo vuri në dukje rëndësinë e certifikimeve institucionale, përmes agjencive të vlerësimit apo akreditimit, ndërsa përgëzoi Universitetin Europian të Tiranës, i cili është vlerësuar pozitivisht nga agjencia britanike QAA. UET gjithashtu është bërë edhe anëtar në QAA, duke u bërë i pari universitet shqiptar, anëtar i kësaj agjencie prestigjioze të vlerësimit të cilësisë. Ajo tha se BE do që të kontribuojë që, më shumë universitete shqiptare të certifikohen ndërkombëtarisht.
Ajo i inkurajoi universitetet të bëhen më tërheqës për të tërhequr studentët europianë, për të cilët përvoja në një vend në proces integrimi është me vlerë. “Ju ftoj të merrni studentë nga shtetet e BE-së, të mësojnë nga përvoja juaj dhe të ndani këtë pjesë të përvojës”, tha zonja Hohmann. Aktualisht UET ka 11 studentë europianë që kanë zgjedhur të studiojnë për një semestër në UET, përmes programit të shkëmbimit studentor Erasmus+, ndërsa UET ofron gjithashtu studime të përbashkëta dhe diploma të dyfishta me disa universitete prestigjioze europiane.
UET është i pari universitet në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili ka fituar një projekt Jean Monnet Centre of Excellence. Ky projekt, i cili merret dhe zhvillohet nga institucione të arsimit të lartë, është një pikë fokusi i kompetencës dhe njohurisë në çështje të Bashkimit Europian. Ata mbledhin ekspertizën dhe kompetencën e ekspertëve të niveleve të larta, me synimin për të zhvilluar sinergji mes disiplinave dhe burimeve të ndryshme, në studimet Europiane.
Rektori i UET, Tonin Gjuraj, tha se për UET është e rëndësishme marrja dhe zhvillimi i dy projekteve Jean Monnet Chair. Rektori tha se, në terma të integrimit në BE dhe përpjekjeve shqiptare për të përmbushur standardet dhe udhëzimet europiane, arsimi është një hap përpara politikës. “Ky është lajm i mirë, sepse integrimi është kompleks dhe arsimi është një sferë e rëndësishme”, theksoi rektori Gjuraj.
E pranishme në këtë ceremoni prezantuese ishte edhe zv/ ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Albana Tole. Ajo vlerësoi punën e Universitetit Europianë të Tiranës, veçanërisht në bashkëpunime me institucione të huaja të arsimit të lartë dhe përfshirjen në projekte ndërkombëtare. “Të marrësh një projekt tjetër me një partner si BE, nuk është vetëm i pritur nga ky institucion, por shërben si motivim për institucione të tjerë”, tha zv/ministrja.
Ajo tha se projekti që UET ka fituar fokusohet në promovimin e ekselencës në mësimdhënie, kërkim shkencor, zgjerim dhe thellimin e njohurve për BE-në, promovimin dhe vendosjen e një bashkëpunimi mes akademisë dhe grupeve të tjera të interesit. “Të gjitha çështje që, dikasteri ynë, por edhe e gjithë qeveria dëshiron t’i ndjekë në nivelin akademik”, shtoi Tole.
Ajo u ndal edhe në projektin tjetër, “Jean Monnet Chair: EU Financial and Insurance Markets Regulation” dhe theksin që vë tek rëndësia e financave, në kuadër të integrimit europian.
“UET ka përvojë në prodhimin e ekspertëve në fushën ekonomike, nivelin akademik dhe kjo do të përfshijë studentë të nivelit master dhe doktorature, që kuptojnë bankat, paratë dhe politikat Monnet në eurozonë”. Ajo shtoi se Arkitektura e sistemit financiar në BE ka impakt edhe në financat shqiptare. “Jemi në hapat e duhur në rrugën e integrimit dhe kemi nevojë për të gjitha fushat. Do të përdoren mijëra euro në këtë projekt dhe jam e lumtur se profesionistë dhe studentë do të rriten në fushë profesionale”.
Zonja Tole tha se një nga përparësitë e Ministrisë së Arsimit është ndërkombëtarizimi i universiteteve, për të hapur programe studimi të dyfishta apo të përbashkëta, shkëmbimi i studentëve dhe stafeve, për të sjellë praktikat më të mira në vend. Ajo tha se vendimi i dalë nga Samiti i Tiranës, për t’i përfshirë universitetet shqiptare në Aleancën Europiane të Arsimit të Lartë, u jep mundësi shumë studentëve të studiojnë, edhe nga Shqipëria, në universitetet europiane. Ajo inkurajoi të gjithë universitetet shqiptare të përfshihen në Aleancën Europiane të Arsimit të Lartë.
Jean Monnet Chair në Rregullimin e Tregjeve të Sigurimeve dhe ato Financiare të BE-së synon të rrisë njohurinë dhe të kuptojë tregjet financiare dhe të sigurimit në BE, përmes një qasjeje shumë hapëshe. Për këtë qëllim, projekti zbaton kurse kurrikulare, seminare, konferenca dhe kërkim ndër-sektoral. KËrkimi ëhstë i fokusuar në regjimin rregullator të harmonizuar të BE dhe tek pasojat e ligjit në veprim. Synimi është përftimi i një tabloje më të gjerë në trendet dhe pasojat e politikave financiare të BE-së.
Drejtoresha e AKSHI, Mirela Muça tha se aspirata shqiptare drejt BE-së, nuk është gjë tjetër veçse historia e universiteteve dhe studentëve “dhe nuk presim tjetër, veçse të jenë universitetet dhe studentët, që të aspirojnë të parët BE. Europa po lëviz dhe duhet të nxitojmë në këtë aspekt”, tha zonja Muça. Ajo shtoi se Europa ka zhvilluar forma të reja b ashkëpunimi, si në shkëmbim idesh, kërkim shkencor dhe inovacion, ndërsa i inkurajoi universitetet shqiptare të përdorin këto mundësi dhe t’i zbatojnë në mënyrë serioz projektet e fituara.
Institucionet që marrin pjesë në projektet Jean Monnet, pritet të mbështetin të ngarkuarin, ose thënë ndryshe chair holder, që në këtë rast është Universiteti Europian i Tiranës në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe veprimtari pasqyruese, duke i lejuar një game të gjerë kurrikulash të përfitojnë nga këto kurse.
Presidenti i UET, Selami Xhepa tha se ky institucion do të jetë chair holder për tre vitet e ardhshëm të këtyre projekteve, por premtoi se do ta bëjë të chair të përhershëm në këtë universitet.
Ai ndau disa momente nga jeta profesionale dhe akademike, që lidhet ngushtë me Bashkimin Europian. Xhepa tha se vitet e para në mësimdhënie janë lidhur me ekonominë e BE-së.
Që në vitin 1996, ai zbuloi se ka qenë pjesë ekipit të qverisë, si drejtues i Agjencisë së Investimeve të Huaja, që përkon të jetë koha kur Shqipëria nisi zyrtarisht përpjekjet dhe rrugëtimin e gjatë e ende në vazhdim për integrimin në BE.
“Punoja për Bankën e Shqipërisë kur lindi euroja dhe isha nga ata që propozova se, Shqipëria duhet ta integronte euron si monedhë kombëtare dhe me Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit
punoja si menaxher kërkimi për tregtinë ndërkombëtare dhe këshilloja qeverinë për këto lloj marrëveshjesh”, kujtoi presidenti Xhepa.
Ai shtoi se në UET u mëson studentëve pikërisht mbi ekonominë e Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se Shqipëria është një vend i lidhur ngushtë me BE-në, në shumë sfera.
“Shpresoj që, me programin të japim kontribut dhe të krijojmë sinergji me qeverinë, me axhendën e integrimit, me ekipin negociator, jo vetëm me kapitujt e ekonomisë por edhe në çështje të tjera me interes. Shpresoj që në fund të procesit, ky projekt të ketë sukses’, tha presidenti, ndërsa pohoi se ka shumë anë për të eksploruar.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në UET, Elvin Meka, njëkohësisht drejtues i Projektit Jean Monnet, Qendër e Ekselencës tha se që në takimet e para me ekipin, ranë në konsensus të plotë mbi temën kryesore, që përfshin nga të kuptuarit financiar, tek procesi, institucionet e BE, kuadri ligjor e infrastruktura.
“E dinim që nuk do të ishte e lehtë, si vetë rruga e Shqipërisë drejt BE. Kemi humbur shumë kohë. Por e vendosëm atë temë për një arsye të thjeshtë; Nuk do të lëvizim përpara përveçse nëse kemi njerëz me njohuri të rëndësishme. Duhet të krijojmë një mendësi të re të BE. Shqiptarët e shohin BE si një vend thjesht për jetuar dhe punuar. Duhet ta ndryshojmë këtë dhe kjo arrihet përmes arsimit, nuk ka rrugë tjetër. Tani BE nuk është më një ëndërr, duhet të punojmë për të”, përfundoi dekani.
Studentja e UET, Miriam Shyti, përfituese nga programet e BE për shkëmbime studentore tha se këto programe ndërtojnë ura për të rinjtë, që kanë mundësi të përfitojnë përvoja dhe perspektiva, të cilat më pas mund t’i zbatojnë në vendin e tyre. Lëvizshmëria studentore, tha e reja, nuk është më thjesht për zhvillim personal, por pjesë e një ndryshimi më të madh.
Ambasadorja e BE-së, zonja Hohmann i sheh këto programe, si një investim i shkëlqyer i së ardhmes shqiptare në BE, por edhe të së ardhmes në BE-së në Shqipëri. UET, i cili edhe vite të tjera ka zhvilluar programe Jean Monnet Chair, ka fituar së fundi shtatë projekte të reja Erasmus+, që i bashkohen projekteve që aktualisht janë në zhvillim. Sa i përket numrit të projekteve të fituara, UET është një prej universiteteve lider në këtë fushë, në Shqipëri.