Andrea K. Prifti
Më the se nënën tënde e kishe të sëmurë dhe nuk e dije kur do mundeshe të vije…
Unë i thoshja vogëlushit tonë të flinte, ai mbante vesh të dëgjonte uturimën e makinës tende, kur të vinte…
Detin që zhurmonte e dëgjonte, por as atë e as pyllin që fëshfërinte nga dritarja nuk e shikonte. Më pyestte për ty, si kishte ardhur me ne, si gjendej aty e se si…
I thashë se ai gjithnjë kishte qenë në mendjen time e në zemrën tënde si një ëndërr, një dëshirë e bekuar e jotja, e magjisë së nënës, qysh kur ti, nëna, mami i tij, luaje me kukulla të vogla e arusha të bukura, se për mamin, ai ishte drita e ditës dhe magjia e hënës…
Po më tej, c’t’i’ thoshja, c’t’i tregoja?! I rrëfeva për atë natë të vonë, kur unë e ti fluturonim ndër ëndërra të stuhishme me ngjyra të magjishme…Të kujtohet ajo natë, e mbanë mend atë vendth, atë qetësi, në atë udhëz të përmbytur nga drita e artë, kur ti aq shumë doje aty të qendroje deri sa hëna të ngrihej në kupë të qiellit, lart?!…
C’t’i thoja tjetër tët’ biri e tim biri unë, i ulur në atë karrige të vjetër, i kotur për gjumë?!
Ai shkopin e vogël prej bredhi shtërngonte. Duke të pritur ty, nuk ishte më për të, një lodër…
-Kur do vijë mami, o ba?
-Kur hëna të jetë lart…
-Kur është hëna lart?!
-Kur të tërë yjet t’i rrinë përqark!
Dremita. Peshqit që kërcenin në det nuk i shihja. Hënën të ngrihej lart, në kupë të qiellit me yjet përqark, nuk e prita…
Po c’ishin ato fjalë që dëgjoja?!…Apo unë, vetë unë, i thoja?! U zgjova. O zot, vogëlushi ynë nuk ishte brenda… Nga dritarja dukej vetëm hëna!
U hodha jashtë me tërsëllimë. Deti heshtte nën hënë. Pylli nuk ndihej, sikur të mos kishte qënë! Këtej, udhëzës së pyllit, një lepur vinte ngadalë, qetë-qetë shihte afër e larg. I pashqetësuar nga fëshfërima e një zogu të rrallë, sikur shëtitje të kishte dalë!…
-Mos e vra ujkun, o ba, unë vetëm sa e tremba. I thashë se është bërë natë dhe duhet të shkonte në shtëpi, të luante atje, brenda! Unë nuk doja fare t’i tregoja se këtu, në këtë udhë do kaloi mama dhe…prandaj u tremba!… Shiko, o ba, hëna po ngrihet lart!
E pashë hënën. Tani yjet po i afroheshin përqark!
-Shiko ba, sa i urtë ai ujku i madh!
Ktheva kokën. Në pyll po hynte ngadalë një lepur veshgjatë. Im bir e yt bir nuk e lëshonte nga dora atë shkop prej bredhi, që drita e hënës e bënte të artë…
Kuptova se mbrojtja qe për ty, o mami i tij, në atë pyll të heshtur nën qiellin e lartë poshtë hënës rrethuar nga miliona yje të shndritshëm përqark!