Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka paralajmëruar vendet konsumatore se ngarkesat e drithit të shitura nga Rusia mund të përmbajnë edhe grurë të vjedhur në Ukrainë.
“Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës dënon kategorikisht veprimet e Federatës Ruse në asgjësimin e drithit që është shpronësuar ilegalisht nga fermerët ukrainas. Pushtuesit rusë po kapin grurin ukrainas dhe po e dërgojnë atë në Rusi për konsum të brendshëm ose po përpiqen ta shesin në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Sipas qeverisë ukrainase, pushtuesit kanë vjedhur tashmë të paktën 400,000-500,000 ton drithë me vlerë mbi 100 milionë dollarë. Pothuajse të gjitha anijet që largohen nga Sevastopoli të ngarkuara me grurë po transportojnë produkte të vjedhura ukrainase, tha Ministria e Jashtme.
Ministria e Punëve të Jashtme theksoi se konfiskimi kriminal, eksporti dhe përdorimi i grurit ukrainas nga Rusia, shkel parimet bazë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), e cila promovon sigurinë ushqimore dhe për t’i dhënë fund urisë.
“Kjo politikë e shtetit agresor vë në pikëpyetje nëse anëtarësimi i tij në FAO dhe organizata të tjera ndërkombëtare është i përshtatshëm. Ne kërkojmë që Rusia të ndalojë vjedhjen e grurit, të zhbllokojë portet e Ukrainës, të rivendosë lirinë e lundrimit dhe të lejojë kalimin e anijeve tregtare”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Punëve të Jashtme i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar të forcojë sanksionet ekonomike kundër Rusisë, për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe përkeqësim të situatës globale të sigurisë ushqimore.