Ukraina ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë territorin e saj, përveç rajoneve Donetsk dhe Luhansk, ku gjendja emergjente është e vendosur që nga viti 2014.
Njoftimin e bëri një zyrtar i lartë i sigurisë në Ukrainë, Oleksiy Danilov, të mërkurën, i cili njoftoi se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë, por mund të shkojë deri në 60 ditë.
Separatistët pro-rusë po kontrollojnë rajonet e Donetskut dhe Luhanskut që nga viti 2014.
Presidenti rus Putin i njohu këto rajone si shtete të pavarura të hënën, dhe miratoi dërgimin e trupave ushtarake atje gjatë kësaj jave. Putin tha se trupat po i dërgon “për arsye paqeruajtëse”.
Ukraina po përballet me kërcënimin rus, ku Perëndimi alarmon për një pushtimi të afërt në shkallë të plotë nga Rusia.
Lëvizja e Putinit për të njohur pavarësinë e dy rajoneve separatiste u dënua nga Perëndimi, ku vendet deklaruan se do të shtojnë sanksionet ndaj Rusisë.
Ndërkohë, Ukraina ka deklaruar se po thërret rezervistët ushtarakë të moshës 18-60 vjeç për një vit shërbimi, por pa urdhëruar një mobilizim të përgjithshëm të trupave.