Gjatë vitit 2018 ka rënë numri i shqiptarëve që kërkuan azil në vendet e BE-së. Ndërkohë Brukseli kërkon adresimin me shpejtësi të rekomandimeve për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Kërkesat e shqiptarëve për azil në vendet anëtare të BE-së dhe vendet që zbatojnë Schengenin ranë gjatë vitit 2018 krahasuar me 2017-n. Kjo e dhënë doli gjatë takimit të nënkomitetit të 11-të mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë mes BE-së dhe Shqipërisë.
“Komisioni dhe Shqipëria vënë në dukje rënien e kërkesave për azil të parashtruara nga shtetasit shqiptarë në shtetet Anëtare të BE-së dhe vendet që zbatojnë Schengenin në vitin 2018 krahasuar me 2017. Biem dakord mbi rëndësinë që të vazhdojnë përpjekjet konkrete për të adresuar fenomenin e aplikimeve të pabazuara për azil, si dhe për të adresuar me shpejtësi rekomandimet e raportit Monyeval mbi luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të kundër-terrorizmit”.
Një javë më parë parlamenti halandez votoi me shumicë votash kërkesën për rikthimin e vizave për shqiptarët. Kërkesa duhet të miratohet më parë nga qeveria holandeze dhe më pas ti kalojë Komisionit Europian që para çdo vendimi shqyrton plotësimin e kërkesave të raportit të një viti më parë.
Komisioni Europian përgëzoi autoritetet shqiptare për angazhimin e tyre dhe për progresin e qëndrueshëm të arritur në fushën e shtetit ligjor, veçanërisht në fushën e reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut, i cili ka hedhur themelet për të konsoliduar një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, profesional dhe të përgjegjshëm.
Por Komisioni ka theksuar rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të tij, duke nënvizuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar.
Komisioni Europian ka njohur në këtë takim rezultatet e prekshme të arritura në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe theksoi rëndësinë e finalizimit të themelimit të Prokurorisë së Specializuar kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose SPAK.