Protesta jo vetëm në Tiranë, por edhe në disa rrethe. Që prej tre ditësh, pas protestave të studentëve në Tiranë, qytete të tjera i janë bashkuar nismës së tyre, ndërsa kërkojnë uljen e taksave.
Pas banorëve të Fushë-Krujës, në protestë janë ngritur edhe banorët e Shkodrës si dhe të Lushnjës, të cilët në shenjë kundërshtie bllokuan sot rrugën.
FUSHË-KRUJË
Banorët e Fushë-Krujës bllokuan rrugën Milot-Tiranë ndërsa në shenjë proteste kërkojnë uljen e çmimit të karburantit. Ata thanë se do t’i bashkohen protestës së studentëve në Tiranë.
SHKODËR
Banorët e Shkodrës në ditën e tretë të protestës kanë bllokuar të gjitha rrugët hyrëse në qytet, ndërsa protestojnë kundër çmimit të naftës. Sipas gazetarit Senad Nikshiqi, protestuesit po marshojnë përgjatë qytetit, ndërsa ata pritet që të bllokojnë qarkullimin e mjeteve. Teksa mbajnë pankarta në duar, ata kërkojnë plotësimin e kushteve nga qeveria.
LUSHNJË
Edhe qytetarët në Lushnjë janë hedhur në protestë, duke iu bashkuar kauzës së qyteteve të tjera, për uljen e taksave dhe çmimit të karburantit, ujit dhe energjisë. Gazetari Julian Kasapi raportoi se banorët kanë bllokuar rrethrrotullimin e Plugut, një pikë që lidh autostradën nga Tirana drejt jugut.