Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, ka inspektuar këtë të hënë punimet në Unazën e re të Tiranës.
Balluku ka theksuar se punimet po vazhdojnë me të tre turne, me qëllim që të përmbyllet sa më shpejt kjo vepër e rëndësishme për kryeqytetin.
Deri më tani sipas saj janë realizuar 50% e punimeve. Balluku ka theksuar se brenda gushtit pritet të hapet tuneli i pestë, i cili lidh zonën e Sakut me Maternitetit të Ri.
“Është vlerësuar hapja e segmentit, të mbikalimeve në lotin e dytë edhe ecurinë e punimeve e kemi 50%. Në unazën e Tiranës, të gjitha pjesët që janë hapur janë definitive dhe nuk kemi asnjë plan t’i mbyllim. Devijimi i trafikut është një vendim që merr ARRSH për t’iu mundësuar ju që të punoni dhe qytetarëve që të kalojnë. Ashtu si në të gjitha projektet që janë nisur në Unazën e Tiranës, na është dashur të rishikohet projekti.
Kemi bërë akomodimin e duhur sa i përket trotuareve, ndriçimit. Të gjitha projektet brenda zonave urbane, kemi pasqyruar të gjitha kriteret. Jam shumë e kënaqur me nivelin e ecurinë dhe raportet që marr nga ARRSH për cilësinë e punimeve”, tha Balluku.