Aktualitet

Unaza e Re/ Balluku inspekton punimet te sheshi “Shqiponja”








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:20 - 29/07/20 |
mapo.al

Punimet në sheshin “Shqiponja”, pjesë e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, janë duke ecur me ritme të shpejta, për të bërë të mundur përfundimin në një kohë sa më të shpejtë të kësaj vepre, e cila do të lehtësojnë ndjeshëm trafikun në kryeqytet.


Aktualisht po punohet për ndërtimin e galerive nëntokësore tip box 3 dhe 4, ndërsa parashikohet që në fund të muajit gusht të nisë puna për fazën e tretë.


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier.



“Ne tashmë kemi lejen e ndërtimit për gjithë segmentin. Realizimi fizik i punimeve është 25%, ndërsa realizimi kohor është 17%. Gjatë periudhës nga muaji tetor, deri në muajin prill, ku u intensifikuan punimet dhe u bë plani i menaxhimit të trafikut, jemi marrë me procesin e shpronësimeve. Janë shpronësuar rreth 202 pasuri, nga të cilat 77 kanë qenë objekte me certifikata pronësie”, bëri të ditur drejtori Verdho.


Ministrja Balluku e vuri theksin tek ritmi i punimeve, duke nënvizuar rëndësinë që ka përfundimi i kësaj vepre në një kohë sa më të shpejtë. Tashmë ka marrë zgjidhje procesi i shpronësimeve, por edhe problematikat e tjera që lidheshin me këtë kantier, ku është bërë e mundur zhvendosja e linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët.


“Puna është e dukshme, ka marrë formë. Është një arritje e kënaqshme në këto kushte, duke pasur parasysh të gjithë pengesat, që kemi pasur. Megjithatë ne duhet të kapim afatin kohor. Duke qenë se kjo është një vepër shumë e rëndësishme, që synon të zhbllokojë të gjithë trafikun e Tiranës, sidomos në orët e pikut, shpresojmë t’a mbyllim sa më shpejtë”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se kjo nuk është thjesht një vepër infrastrukturore, por edhe një hapësirë e re, që i shtohet kryeqytetit dhe veçanërisht banorëve të zonës përreth, pasi ka të parashikuar në projekt të gjithë elementët e nevojshëm për këmbësorët apo edhe lëvizjen e biçikletave.

Lexo edhe :  Basha njihet me shqetësimet e bizneseve në Tiranë: Reduktim stafi dhe përgjysmim xhiroje

“Kjo nuk është thjesht një vepër infrastrukturore, është një vepër shumë mirë e integruar me qytetin, pasi është një vepër urbane, ku është parashikuar dhe lëvizja e lirë e këmbësore, ka gjelbërim dhe ka edhe ambiente, të cilat mund të përdoren nga banorët e zonës përqark. Kur e shikon sot duket si një vepër e rëndë infrastrukturore, betoni, hekuri, por ndërkohë ne parashikojmë, që në mbyllje të saj, në sipërfaqe do jetë një vepër shumë miqësore me ambientin”, shtoi ministrja Balluku.

Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarët pasi nisja e punimeve solli devijimin e qarkullimit të automjeteve duke shkaktuar edhe trafik, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se ka nisur puna për planifikimin e segmentit tjetër të Unazës së Madhe që nis nga rrethrrotullimi “Shqiponja” deri në Bulevardin e Ri dhe së shpejti do të nisë puna edhe për planifikimin e segmentit tjetër që nis nga Bulevardi i Ri deri në zonën e Shkozës.

Kur mendojmë se çfarë rezultati do ketë në pak muaj, në më pak se një vit ndoshta e gjithë vepra, të gjithë lotet, tre lotet që kemi këtu, për të nisur më pas punën, të cilën po projektojmë sot nga “Shqiponja” dhe deri në Bulevardin e Ri dhe më pas nga Bulevardi i Ri deri në Shkozë, besoj se të gjithë tregojnë mirëkuptim, pasi asgjë nuk bëhet pa vështirësi dhe për më tepër kantieret e mëdha ndikojnë në fluksin e trafikut të një qyteti”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në nyjen “Shqiponja” është duke u punuar përgjatë 24 orëve në 7 ditë të javës. Ky objekt është parashikuar të ndërtohet në 5 faza. Në fund të muajit Gusht pritet të përfundojnë punimet në dy fazat e para dhe të nisë puna për fazën e tretë.


Etiketa: , , , ,

Pas