Mapo Letrare

Unë të kujtoj, të kujtova edhe sot…














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:46 - 06/06/21 |
Xhahid Bushati

-Në kujtim të shkrimtarit për fëmijë Adil Zeka (01.06.1936 – 13.09.2017), me rastin e 85-vjetorit të lindjes-






Ese nga Xhahid Bushati


Para ca ditësh, miku im i çmuar, shkrimtari i talentuar për fëmijë e të rritur Maxhun Osmanaj nga Istogu i Kosovës, më lajmëronte se do të vinte në fshatin Drisht të Shkodrës për të marrë pjesë në një veprimtari historiko-shkencore, me frymë atdhetarie, ku do të shpërfaqej etnosi i bukur, madhështor e i praruar mëmëdhetar. Lajmërimi më erdhi si një surprizë e bukur. Lajmërimi i shkrimtarit Osmanaj vazhdonte: “Dua të rri ca orë në Shkodër dhe dua të takoj. Të kam sjellë me vete ca revista “Metafora” dhe ato për fëmijë “Zog i mëngjesit”.







Me Maxhunin u takuam siç takohet vëllai me vëllanë. Na kishte marrë malli. Sytë tanë i jepnin dritë njëri-tjetrit. Si malli dhe si drita i rritën dimensionet e tyre kur u ndamë përmes përshëndetjeve dhe përqafimeve.



Po kthehesha. Ecja ngadalë dhe i menduar. Sikur po numëroja pllakat e trotuarit të lagjes “Rus”, një lagje me emër të mirë dhe me tradita fisnikërie e qytetarie shkodrane.



Në këtë lagje ka banuar shkrimtari Adil Zeka, miku im i shtrenjtë. Ngadalësova hapat kur mora kthesën dhe u ndala jo larg shtëpisë së tij. Një zë, sikur, më tha: “Mos trokit! Nuk e shikon se për ty është e hapur dera. Në sytë e mi, vërtet, ishte e hapur dera. Nga vizitat e mia të shpeshta në atë shtëpi, shpesh e gjeja Adilin në kopsht si një bahçevan i talentuar dhe i përkorë që mbillte e kujdesej për sallatat, për preshët, për hardhitë, për… E admiroja për kujdesin që tregonte, të cilin e kishte tipar të karakterit të tij. Ky bahçevan-artist më kujtonte Leon Tolstoin, që një pjesë të jetës së vet e kalonte në kopshtin e tij të dashur e, që Adili, shpesh në bisedat që bënin, e çmonte shumë; ndaj dhe në kuptimin e mirë të fjalës, gjejmë në krijimtarinë e Adilit gurë të çmueshëm të letërsisë për fëmijë të Tolstoit. Shpesh e gjeja edhe brenda në shtëpi, në studio, duke shkruar. Ardhjen time e priste me shkëlqimin e syve dhe humorin brilant që e kishte për zemër. Pranë tij ishte dhe kutia e duhanit, me të cilën kishte një miqësi dekadash.

Mendova se do ta gjeja, përsëri, dhe tani. Patjetër që diku ishte pranë meje…por kësaj radhe qiellor dhe hyjnor. Prisja të dëgjoja zërin e tij njerëzor e mikpritës… të më thonte diçka si vazhdim i një bisede të lënë përgjysmë.

Nësa po mendoja kështu, i përhumbur në kujtime dhe i shoqëruar me nga një pikë loti në faqe, m’u kujtua në çast, se ç’është harresa për një shkrimtar, veçanërisht kur është dhe i talentuar?.. Pluhurin e harresës nuk e gjejmë vetëm në rrugë, por me kalimin e viteve edhe në figura shkrimtarësh… E çuditshme, pluhur harrese tek ata që si pasuri kanë lënë librat. Por harrojnë se libri nuk ka harresë e vdekje. Libri është dhe mbetet jetë një Mësues i ditur që kurrë nuk plaket.

Kur Adili iku nga kjo jetë, nuk u bë një përkujtimore nga Biblioteka e qytetit. Edhe në vitet e mëpastajme nuk u kujtua askush… Nuk u kujtua as institucioni i Shtëpisë së fëmijës, kur për shumë vite qe mësues e prind për fëmijët pa prind. Nuk u kujtua as Qendra kulturore, ku ndihmesa e tij qe vlerë e pakursyer, dituri, mençuri dhe art. Nuk u kujtua as edhe shkolla “Vaso Pasha”, ku kaloi vitet e fundit të mësuesisë para se të dilte në pension. Vetëm unë e di, gjatë bisedave me të, sa i shqetësuar ishte për nxënësit, me sa vullnet dhe estetikisht bukur e bënte ditarin. Gjithëçka e donte për nxënësin… Edhe pse i thinjur donte të jepte shpirtin, mjafton që ai të mësonte dhe të dëgjonte këshillën e tij prindërore që falte dashuri.

Adili ishte një nga poetët më të talentuar të letërsisë shqipe për fëmijë në hyrje të viteve ’60. Kështu e cilëson kritika letrare. Premton shumë. Në vite ai boton librat poetikë: “Nga e hëna tek e diela” (poemë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1967), “Tregim për Komisarin e Dritës” (poemë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1969), “Vullnetarët e vegjël” (vjersha, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1971), “Tring, tring zilja katër herë” (vjersha, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1978), “Një ketrush mëson në shkollë” (poemë-përrallë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981), “Gjuetarët çamarrokë” (vjersha, Sh. B. “Camaj – Pipa”, Shkodër, 1997), “Rrina, gardalina” (poemë, Sh. B. “Camaj – Pipa”, Shkodër, 200); romani “Aventurat mbi Drin”, Sh. B. “Camaj – Pipa”, Shkodër, 1999; libri me tregime “Agushi shëtit botën”, Sh. B. “Rozafat”, Shkodër, 2008. Patjetër dhe vepra a krijime të lëna në dorëshkrim.

Kisha menduar se këto libra të krijuara nga talenti shkrimtarit për fëmijë Adil Zeka, do të botoheshin edhe si kolanë e letërsisë shqipe për fëmijë. Sepse krijmtaria e tij i duhet kësaj letërsie dhe lexuesve kryesisht parashkollorë. Sepse u duhet të njihen me problematikën e këtyre krijimeve, me elementet e humorit, me aventurat, me mbështetjet e herë pas herëshme në tabanin e folklorit të zgjuar, të ditur e të mençur shqiptar. Sepse lexuesit e vegjël duhet të njohin portretin e këtij shkrimtari, që kryesisht qe poet, e poet i talentuar, që letërsinë që shkroi e kishte të shpirtit.

Teksa largohesha m’u kujtuan dy thënie të poetit të talentuar Fatos Arapi të thëna para 52 vjetëve: 1. “… “letërsia e madhe” për fëmijë është një indeks e kusht i domosdoshëm për një shoqëri të qytetëruar” dhe 2. “… letërsia për fëmijë është letërsi e botës së madhe të fëmijëve, kërshëria e ndezur e të cilëve pyet…”

Teksa largohesha, m’u kujtua dhe një detaj, i cili është i lidhur me jetësimin e poetit, me botën e tij të brendshme. Adili, shpesh, shkruante dhe me pseudonimin ‘Lida Gruemira’. Fshati me emrin Gruemirë përbënte histori dhe kish lënë shenjë përjetësisht në jetën e shkrimtarit. Për t’i dhënë jetë pseudonimit të tij, ai ia besoi këtë amanet vajzës së madhe, të cilën e quajti Lida.

Teksa largohesha, rrugës bëja edhe këtë meditim: ‘Si qëndrojnë harresa dhe kujtesa në figurën e shkrimtarit Adil Zeka? Në jetë, për ëndrravrarët, për ndryshkëtarët qëllon që harresa e mund kujtesën. Por qëllon, dhe këta janë vizionarët, atdhedashësit, tokëdashësit, që kujtesa mund harresën. Këtë fytyrë ka Liria. Liria është dhe libri (librat) e shkrimtarit. Ata i japin jetë jetës! E, që vdekjen të mos e mbjellim, Kujtesa u qytetëroftë dhe u mbretëroftë!..’ Pas kësaj thirrje-shpirti, më vijnë ndërmend ca vargje të T. S. Eliot-it, i cili nw “Kwngw dashurie” thoshte: “E kam dëgjuar çdo sirenë të këndojë. Unë mendoj se ato nuk do të këndojnë për mua.”

Teksa largohesha, pashë se mbi mur kishte shfaqur kokën një palmë, ku disa gjethe gjelbëronin e disa të tjera kishin marrë ngjyrë vjeshte. Gjithashtu pashë harlisjen e një fiku, ku gjethet gjethonin gjelbrueshëm. Mendova se jo çdokush e ka ditëlindjen me 1 Qershor – Ditën e fëmijëve. E ky fat si ogur i mirë i ra ta kishte si fatlumësi Adil Zeka. Kjo ishte, ndoshta, arsyeja, që ishte shkrimtar i letërsisë për fëmijë dhe shkrimtar i talentuar.

Takimi me një shkrimtar gjithmonë është ëndërr. Ajo ditë takimi ka të pranishëm diellin…

Shkodër, 01.06.2021

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas