Unioni i Gazetarëve, ka reaguar ashpër lidhur me dhunën e ushtruar nga policia të paktën në dy raste, gjatë protestave të ditëve të fundit. Pas shoqërimit me fortë në komisariate, edhe pas prezantimit dhe identifikimit, të gazetarëve, Xhoi Malësia dhe Qamil Xhani, UGSH, kërkon shpjegime nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Drejtori i Policisë së Tiranës, përndryshe, paralajmëron kjo organizatë, do të ketë protesta të Dielën.
Deklarata e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:
Nje mbremje pas ndalimit dhe shoqërimit të dhunshem policor të gazetarit Xhoi Malesia, njësi policësh të po të njëjtit komisariat me nr2, të Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, shoqeruan në të njëjtën mënyrë dhe në pragun e redaksise së gazetes, kryeredaktorin e “Koha jone”, gazetarin Qamil Xhani.
Ndalimi i dhunshem dhe sidomos shoqërimi brutal në mjediset e komisariatit të policise, (edhe pas identifikimit si gazetar), përbëjnë një akt të përsëritur të policise së Tiranës ndaj gazetareve.
Kryeredaktori i “Koha jone” sapo ka ndjerë një situate tensioni mes disa të rinjve dhe policëve të njesise special, është vënë në detyre për të fiksuar momentet me aparatin personal. Ky gjest ka mjaftuar që grupi policor forcërisht ta rrembejë në automjetin e vet dhe ta shoqerojë drejt komisariatit nr 2 të kryeqytetit.
Ngjarjes së njëjtë, të ndodhur një ditë më parë me gazetarin Xhoi Malesia, policia dhe autoritet e saj nuk i bënë asnjë koment dhe zyrtarisht nuk kanë sqaruar ende se cila ka qënë arsyeja e kesaj dhune mbi gazetaret në krye të detyrës. Të njejtin qendrim mbajne edhe në rastin ndaj kryeredaktorit të “Koha jone”, ndonëse reagimet, denoncimet dhe apelet vijne nga të gjitha organizatat e gazetareve ne nivel kombëtar dhe ndërkombetar.
Kjo heshtje dhe papergjegjshmeri e autoriteteve te Policise se Shtetit, vijon edhe pas denoncimeve të krerëve të lartë institucionale dhe institucioneve që monitorojnë jetën institucionale dhe liritë themelore në vend.
Heshtja e Drejtorit të Policisë së Qarkut Tirane, zotit Rebani Jaupaj dhe Drejtorit të Pergjithshëm të Policise së Shtetit, zotit Ardi Veliu, është bashkëpërgjegjësi e akteve dhe natyrës agresive të policisë ndaj gazetarëve dhe sidomos, ndaj reporterëve në detyrë.
Unioni i Gazetareve Shqiptare pret përgjigjen zyrtare dhe komunikimin sipas ligjit, nga titullaret e këtyre dy institucioneve për arsyet e shoqërimit të gazetareve Xhoi Malesia dhe Qamil Xhani, duke iniciuar në këtë mënyrë, ndjekjen e nje procesi ligjor për abuzuesit dhe dhunuesit me uniformë, ndaj gazetareve në detyre. Në të kundert, UGSH paralajmeron thirrjen e një proteste të madhe gazetaresh ditën e dielë, para Ministrise së Brendshme dhe Drejtorise së Pergjithshme të Policise së Shtetit.
Zyra e Shtypit
Unioni i Gazetareve Shqiptare