Albana Vokshi nga Partia Demokratike ka kritikuar sërish vendimin e qeverisë për të mbyllur universitetet.
Sipas saj, “një firmë drejtori ka vendosur të ardhmen e studentëve, në shkelje të çdo ligji”.
Vokshi vijoi duke shpjeguar se Ligji i Arsimit të Lartë, në nenin 59 përcakton se format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë dy, studime me kohë të plotë ose me kohë të zgjatur, dhe ligji “nuk i njeh studimet në distancë (online)”.
Vokshi kritikoi vendimin e qeverisë për mbylljen e universiteteve, e ardhur vetëm 3 ditë para fillimit zyrtar, duke i cilësuar studentët si “më të diskriminuarit gjatë periudhës së pandemisë. Pjesa më e madhe e tyre nuk patën asnjë mundësi të ndiqnin studimet online, nuk patën asnjë mbështetje për punësim, asnjë paketë ndihme”.
Statusi:
Një shkresë me firmën e një drejtori në Ministrinë e Arsimit ka vendosur për të ardhmen e studentëve dhe universitet online në shkelje të çdo ligji.
Ligji i Arsimit të Lartë, në nenin 59 përcakton:
Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë:
a) Studime me kohë të plotë
b) Studime me kohë të zgjatur
Pra, Ligji nuk I njeh studimet në distancë (online).
Studentët kanë qenë më të diskriminuarit gjatë periudhës së pandemisë. Pjesa më e madhe e tyre nuk patën asnjë mundësi të ndiqnin studimet online, nuk patën asnjë mbështetje për punësim, asnjë paketë ndihme.
Sa antihumane duhet të jetë një qeveri që vetëm 3 ditë para fillimit të vitit akademik t’i mbyllë universitetet? Sa është kosto për çdo familje studenti? Sa studentë nuk do mund të ndjekin dot studimet pasi nuk kanë asnjë mundësi në shtëpitë e tyre??
Është më keq se në diktaturë.
Por historia ka treguar që diktaturave fundi u vjen nga të rinjtë.