fbpx

Op Ed

Universiteti në rrokëpjekthin e tymnajës (ç)reformë





               Publikuar në : 12:03 - 21/10/19 |
Nga Mirela Karabina

Rënia e ndjeshme e numrit të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2019-2020 ka sjellë mbylljen e dhjetëra programeve studimi dhe disa prej tyre janë braktisur plotësisht


Nga Mirela Karabina



Universiteti është në udhëkryq. Mesazhin e Qeverisë për fillimin e vitit të ri akademik, studentët dhe pedagogët do ta merrnin nga takimi i disa ditëve më parë të Kryetarit të Kuvendit me rektorë të universiteteve publike dhe jopublike me rastin e njëvjetorit të marrëveshjes mes tyre. Pra, nga Kuvendi  do të paraqitej jo vetëm bilanci i “arritjeve” të këtij bashkëpunimi, por dhe “gatishmëria” e qeverisë për realizimin e Reformës në Arsimin e Lartë. Dhe dukshëm u dëshmua, një tjetër vit përpëlitës dhe vështirësish për universitetin, një rrugë pa krye në tymnajë.


Dhe këtë e deklaroi vetë Qeveria nëpërmjet Kuvendit në tryezën katërkëndore.

Marrëveshja që kishte të bënte me “promovimin e punës kërkimore shkencore, mendimit analitik në funksion të demokracisë parlamentare, në rritjen e kapaciteteve te studentëve mbi parlamentarizmin, në mbështetjen e institucioneve arsimore për përmbushjen e funksioneve të tyre në kuadrin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për Arsimin e Lartë” dukej si dosje plot, bukur formuluar, por në një hapësirë boshe.

Në bilancin që bëri, Kryetari i Kuvendit ishte i vetëdijshëm që ata dhe Qeveria i detyroheshin shumë Universitetit, studentëve dhe profesorëve. Rritja e financimeve për universitetin dhe kërkimin shkencor nuk ishin arritur në nivelin e duhur për shkak të burimeve të kufizuara financiare. Por vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të ligjeve të miratuara nga Kuvendi paskësh qenë pjesë e punës dhe produktivitetit të disa ministrive. Dhe pavarësisht këtyre, suksesi qëndronte te pozitiviteti i qeverisë që paskësh treguar ndjeshmëri ndaj kërkimit shkencor dhe veçanërisht nevojave të studentëve. Ndërsa, kontributi i universiteteve, akademikëve dhe studiuesve në procesin e funksionimit në hartimin e ligjeve ishte rritur, duke përmirësuar cilësinë e akteve ligjore të miratuara nga kuvendi. Një çështje tjetër bashkëpunimi kishte qenë ndjeshmëria e qeverisë dhe institucioneve shtetërore në lidhje me kërkesat e protestës së studentëve, të cilave Këshilli i Ministrave iu ishte përgjigjur me zgjidhje nëpërmjet Paktit për Universitetin. Vizita komisionesh parlamentare në universitete dhe studentë që kishin përfituar praktika mësimore pranë Kuvendit ishte një tjetër arritje e marrëveshjes. Nga Kuvendi u premtua se në buxhetin e vitit të ardhshëm fondi për arsimin do të kishte përparësi.

Pra, në përçartje, duke kaluar herë nga institucioni Kuvend e herë nga institucioni Qeveri kjo ishte ajo çka ishte bërë dhe ç’pritej të bëhej për të ardhmen: burime të kufizuara financiare por “ndjeshmëri qeverie”, plotësim nevojash të studentëve por me hartim paktesh, cilësi në arsim por nëpërmjet komisioneve, tryezave dhe sugjerimeve.

Pra, Qeveria dhe Kuvendi u “rrëfyen” dhe u “sqaruan”, por vetëm për studentët, pedagogët dhe publikun aq shumë të interesuar ato nuk thanë gjë.

Por veç papërgjegjshmëri, demagogji, jotransparencë, jo strategji dhe një çorganizim të organizuar.

Dhe, meqë “ndjeshmëria” e tyre ndaj universitetit nuk paska munguar atëherë duhej të qartësonin se:

Pse burimet financiare për universitetin paskëshin qenë të kufizuara?

Premtimi i kësaj Qeverie më 2013-ën, paraqitur dhe në Strategjinë Kombëtare për Arsimin 2014-2020, ishte që buxheti për arsimin do të rritej në nivelin 5% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto), por mbeti në nivelin 2.49 %-3%. Pra arsimi nuk ka qenë prioritet i kësaj qeverie, pasi jo vetëm nuk do të rritej por në rishikimin e buxhetit të 2019-ës janë shkurtuar fondet për Arsimin e Lartë me 1.6 milion euro, ndërkohë që fondi është 2.5 milionë euro më i ulët se i vitit 2018 (Monitor). Investimi i qeverisë është 800 euro për student krahasuar me 18 mijë euro për student në vendet e OECD-së (Organisation for Economic Co-operation and Development), ndërsa fondet për kërkimin shkencor janë shumë të ulëta, 4-5 mln$ krahasuar me 40mln $ me vendet europiane. Pra, këto burime financiare të kufizuara kanë penguar zhvillimin e universitetit.

Po kështu, në vend të ndarjes përgjegjësish mes ministrish për aktet nënligjore të munguara duhej sqaruar, pse Ligji i Arsimit të Lartë hyri në fuqi me 43 të tilla të munguara?

Është përgjegjësi institucionale e Qeverisë dhe Ministrisë përgjegjëse për Arsimin që edhe pas 4 vitesh të hyrjes në fuqi të ligjit akoma ka mungesë aktesh nënligjore. Edhe kur kanë dalë këto akte, kanë qenë jashtë afateve të përcaktuara duke sjellë anomali dhe paligjshmëri. Si rrjedhojë, është penguar universiteti në përmbushjen e detyrimit institucional, është penguar rritja dhe zhvillimi i tij duke cenuar autonominë universitare dhe atë financiare. Dhe kjo, nuk mund të kalojë me një ndarje përgjegjësish.

Një vit pas protestës studentore çfarë ishte arritur në plotësimin e kushteve dhe çfarë do të bëhej për universitetin?

Protesta studentore nuk mund të trajtohej thjesht me “ndjeshmërinë” e qeverisë dhe një pakt farsë (Pakti për Universitetin), por të tregohej cila do të ishte platforma vepruese e qeverisë për rritjen e cilësisë në formimin e studentëve, përditësim të diplomave nëpërmjet lidhjes me tregun e punës, përmirësim të kushteve të të punuarit dhe të jetuarit të studentëve.

Por asgjë nuk u sqarua, asgjë nuk u kuptua!

Dhe, ajo që qëllimisht u shpërfill dhe u “mbulua” ishte fenomeni i largimit masiv të të rinjve të cilët të zhgënjyer, të demotivuar se sistemi jocilësor i arsimit të lartë është larg tregut të punës kërkojnë shpëtim jashtë vendit por edhe emigrim. Dhe, kjo me pasoja në një të ardhme të shpejtë si në strukturën e forcës së punës kërkesë-ofertë me ndikim në profilet e universiteteve, ashtu dhe në sektorin financiar.

Rënia e ndjeshme e numrit të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2019-2020 ka sjellë mbylljen e dhjetëra programeve studimi dhe disa prej tyre janë braktisur plotësisht. Goditjen e parë e kanë marrë Universitetet Rajonale (Universiteti i Elbasanit ka mbyllur 11 programe studimi, Universiteti i Gjirokastrës po ashtu), që falë politikës arsimore të kësaj qeverie po i çon drejt mbylljes dhe kthimit të tyre në qendra kursesh kualifikimi.

Pra, bjerrje e trurit, rënie cilësore e kapaciteteve njerëzore, mbyllje programesh universitare. Dhe, nga qeveria dhe ministria përgjegjëse për arsimin nuk kemi asnjë strategji për ta ndaluar këtë! Në këto kushte, universiteti është në rrokëpjekthin e tymnajës (ç)reformë, është drejt rrënimit të pashmangshëm të tij. Dhe kjo ndodh me bekimin e kësaj Qeverie, në emër të arsimit, në emër të reformës, në emër të studentëve…


Etiketa: , , , ,

Pas