Këtë vit urimi im për Ditën e Babait është i jashtëzakonshëm për disa arsye, një prej tyre është pandemia. Në janar festova 60-vjetorin. Pjesëmarrja e prindërve në festimin e ditëlindjes ishte vërtet dhurata më e çmuar. Ata u martuan të rinj dhe familja u shtua me tri vajza të tyre për thuajse çdo dekadë nga dasma e çiftit.
Babai im nuk na ka quajtur “princeshë” apo me ndonjë titull tjetër aristokrat. Ne u rritëm në Shqipërinë socialiste, ku titujt e fisnikërisë ishin të shfuqizuara edhe të dënuara. Edhe nëse do të ishin të lejuar babai nuk do të kishte zgjedhur të vendoste asnjë në një nivel “më lart” se të tjerët, sikur t’i përkisnim një kaste më të lartë.
Ai vetë nuk besonte dhe as nuk posedonte tituj. Titujt e shumtë i fitoi në saje të veprave dhe krijimtarisë: novelist, skenarist, eseist, publicist, dramaturg, humorist, autorë për fëmijë, mësues, profesor, tregimtar, përkthyes, kritik letrar. Shumëllojshmëria e talentit të tij është e patejkalueshme nga çdo autor i gjallë në Shqipëri. Babai nuk zgjodhi tituj për të na bërë të veçanta. Ne ishim vajzat e tij dhe kjo ishte “veçantia” jonë.
Shoqëria patriarkale e Shqipërisë lindjen e një djali e konsideronte si themeltare për ruajtjen e emrit të familjes. Tradicionalisht, një bir trashëgonte pasurinë e prindërve dhe përkujdesej për mirëqenien e prindërve. Si vajza, ne menduam se familja humbi diçka nga mungesa e lindjes së një djali. Mamaja i kishte shprehur ankesat për këtë disa herë.
Ajo ndjeu se familja nga ana e burrit ishte e pakënaqur me faktin se nusja nuk lindi një mashkull. Dhe mbase ishte e vërtetë që gjyshja e babait kishte thënë “Oh u çupëroftë”pas lindjes së vajzës së tretë. Megjithatë, unë kurrë nuk e dëgjova babanë të shprehte ndonjë pikë zhgënjimi. Në fillim, më erdhi keq që mami nuk u gëzua me një djalë. Ndoshta, si fëmijë i mesëm, unë duhej të isha nisur për djalë. Rreth dhjetë vjet më vonë, u acarova kur gjasat për një trashëgimtar mashkull praktikisht u eliminuan kur arriti vajza e tretë. Tre vajza! Asnjë djalë! Me kalimin e kohës, barra mendore m’u lehtësua. Vendosa se ne do të mbanim mbiemrin e vajzërisë edhe pas martese që të ruhej mbiemri i babait.
Plus, ne do të ndanim lehtë gjithçka në tre pjesë të barabarta. Unë jam ndjerë gjithnjë mirë nga fakti që kurrë nuk e kam dëgjuar babanë të ankohet ose të shprehë ndonjë pakënaqësi se ka tri vajza. Herë-herë çuditem me faktin se si babai që ishte rritur në një fshat të largët, në jug të Shqipërisë, ishte aq i lirë nga mentaliteti patriarkal.
Për të, një fëmijë ishte dhuratë për t’u dashur dhe kujdesur, si edhe për ta mësuar për jetën. Përveçse ishte shkrimtar i talentuar, babai ishte para kohës së tij mendimtar dhe edukues i brezave.
Si shumë meshkuj të fshatit, babai i tij, Rafaeli, kishte emigruar në Amerikë. Nëna dhe gjyshja e tij e rritën, ndërsa bënte punë të shumta të cilat janë pa fund në fshat. Emancipimi i tij ishte unik për burrat e shoqërisë shqiptare, si atëherë edhe tani. Në shumë aspekte, babai kishte arritur gjithçka vetë. Ai ishte autodidakt në disa gjuhë.
Puna si reporter për revista ose gazeta e bëri të shkonte anekënd vendit dhe prej tyre mbante shënime udhëtimi si eksploruesit. Mbaj mend se i regjistronte në magnetofon prononcimin e fjalëve në frëngjisht, anglisht, italisht dhe rusisht. Vite më vonë, si një shkrimtar në profesion të lirë, ai bëri shqipërime të hatashme të librave klasikë, si: Princi i Vogël, Çarli dhe Fabrika e çokollatës etj., që janë thesare të dashura për pasardhësit.
Çuditërisht, babai im kurrë nuk na tha të mësojmë këtë ose atë gjuhë. Ne mësuam nga shembulli i tij. Ai nuk na shtynte të bëjmë këtë apo atë se besonte se ne do ta zgjidhnim vetë profesionin që na përshtatej më mirë. Kur isha dhjetë vjeç, babai ishte autor i njohur në Shqipëri. Megjithatë, ai ishte i thjeshtë dhe nuk mbahej me të madh si disa intelektualë të tjerë që ishin ‘më të rëndësishmit” e kohës.
Unë i shikoja fëmijët e privilegjuar të kësaj ‘kaste të re’ që nuk kishin asnjë meritë të vetën po u mbajtën me emrat e baballarëve të tyre dhe bënë karrierë nga statusi i prindërve.
Në dimër, babai nuk përtonte të zbriste në katin e poshtëm, të merrte ca dru zjarri, t’i priste me sopatë a sqepar në oborrin para pallatit. Në kohën e Shqipërisë komuniste, secila familje merrte një racion të caktuar drush për t’u ngrohur në dimër. Sapo kamioni i komunales largohej, ne fëmijët mbartnim ca cungje lart, ndërsa pjesa tjetër hidhej në bodrumin e ndërtesës.
Stufa e drurit ishte burimi i ngrohjes, por meqenëse ishte një model i vjetër italian, e hollë dhe e gjatë, ajo vetëm gllabëronte dru zjarri të prerë mirë. Për të ndezur duheshin edhe disa fije vërtet të holla. Babi e bënte gjithë përvojën e prerjes së druve shumë të këndshme. Ai fillonte të priste dhe na tregonte se si, ku kalonin dejet e drurit që e lehtësonte teknikën e prerjes, ndërsa ne shikonim të mahnitur sesi pas disa goditjeve sqepari fitonte betejën me cungun e madh.
Aktiviteti tjetër i preferuar i babait ishte gatimi. Në atë kohë, shumë pak burra shqiptarë i gjeje në kuzhinë dhe ca më pak dinin të gjenin nga hyhej apo dilej nga kuzhina. Ndërsa babi përgatiste gjellë që për dallim nga ato të mamasë, nuk ishin punë shtëpiake por art. Ai e bënte me qejf dhe me shkencë, d.m.th. temperaturë, masat e përdorura ishin të sakta.
Mbaj mend që babai blinte libra gatimi ose kuzhine dhe para se të gatuante i zgjidhte recetat e reja dhe i krahasonte me të vjetrat. Babit i pëlqente shoqëria për të ngrënë dhe për të pirë. Dy nga miqtë e tij që nga vitet shkollore, Dhimitër Xhuvani dhe Tahir Cenko prodhonin raki rrushi vetë. Eksperimenti ishte artiznal, por i suksesshëm.
Mbaj mend që rrushi fermentohej në bucelë dhe kur ishte gati për t’u zjerë, shokët vinin e rrinin me orë të tëra për të provuar “ballin e kazanit”, pikat e para të rakisë. Me shoqëri edhe pija edhe humori shkonin për bukuri. Kështu ne mësuam se si të zgjidhim shokë e miq të besueshëm e të përkushtuar. Babi e bënte gjithçka nga prerja e drurit te gatimi pa paragjykime, dhe kjo më mësoi të vlerësoja çdo punë dhe person pa gjykuar.
Mbi të gjitha, babi dinte t’i jepte bukuri jetës me mangësitë e veta. Ai shkruante rrëfime dhe fabula që na i lexonte me zë të lartë duke na bërë audiencën e tij të parë. Disa nga tregimet i krijoi posaçërisht për ne. Nga njëra prej tyre, “Pika e Ujit”, zbulova sesi funksiononte qarkullimi përpara se ta studioja në shkollë si Dituri Natyre.
Te “Ketri Shkon te Dentisti” kuptova qysh fëmijë rëndësinë e higjienës dentare. Falë përkthimeve të tij, u njohëm me shkrimtarët e famshëm si Hans-Christian Anderson dhe Dahl. Në një sistem të egër socialist, baba krijoi një botë me karaktere të ndershme dhe moral të lartë, si edhe mësime të etikës njerëzore. Ne shkonim të shikonim shfaqjet e dramave, komedive dhe filmave të tij kushtuar atdhetarëve, si: Petro Nini Luarasi, Gjerasim Qiriazi.
Veprat e babit të preknin shpirtin me humanizmin dhe vërtetësinë. Kur lexon një tregim të tij nuk e harron se në secilën prej tyre ka karaktere origjinale dhe të prekshme, të shkruar me gjuhë lirike, e cila është e sinqertë dhe jo e shtirë dhe e lustrosur. Tregimet e tij jetojnë në kujtesë pavarësisht se kush është lexuesi. E bukura ndihet e shijohet nga çdo njeri.
Në ditën e festës kushtuar babait, unë e falënderoj atë që e bëri botën një vend më të mirë dhe nuk vuri asgjë mbi lumturinë tonë. E falënderoj që më lehtësoi dhimbjen e jetës dhe vuajtjet e mia. E falënderoj që dinte ta teratiste trishtimin tim kur lexoja legjendën e Rozafës. Historia e varrosjes së nuses më re, më të mirë dhe më të dashur më plagoste shpirtin. Pse ishte ajo që u sakrifikua? Pse vëllezërit u thanë grave të tyre që të mos ua sjellin drekën në kala? Si mund të pritej besa nga dy vëllezërit, po jo nga ma i vogli?
Babi, i cili është njohës dhe studiues i folklorit shqiptar, identifikoi një version të vjetër të legjendës dhe krijoi një novelë kryevepër për kështjellën e Rozafës. Nuk është histori e premtimit të thyer të vëllezërve, por legjendë e vetëflijimit. Edhe nusja e re e dinte se cfarë e priste. Rozafa sakrifikoi veten për të mirën e të gjithëve. Nëse nuk do të shkonte ajo atëherë si do qëndronte kështjella? Ajo e pranoi sakrificën dhe unë e vlerësoj rikrijimin e babait si dhuratën më të mirë. Dhuratë që mund të dhurohet.
Sot, në kohën e pandemisë, nuk mund ta puth a përqafoj tim atë; më duhet të mbaj maskë dhe të qëndroj dy metra larg, megjithatë me këtë urim e them se jeta ime është shumë më e mirë për shkak të tij. Dhe për mua nuk ka titull më të lartë se të jem vajza e tij! Të dua shumë!